Thaçi-Nishani: Çështja kombëtare shqiptare në të gjitha shtetet e Ballkanit, çështje e shenjtë

Thaçi dekoron Nishanin me medaljen “Urdhri i Lirisë”

 Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani sot filloi vizitën e tij zyrtare tre ditore në Kosovë, me ftesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

 Me këtë rast, në sheshin “Ibrahim Rugova” Nishanit iu bë një pritje ceremoniale nga Garda e Nderit të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK).

Nishani dhe Thaçi zhvilluan edhe një takim në kabinetin e Presidentit kosovar, ku pas saj mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Me këtë rast, Presidenti i Kosovës Thaçi e dekoroi Nishanin me medaljen “Urdhri i Lirisë”, për kontributin e tij për kombin shqiptar si dhe angazhimin e tij në njohjet dhe proceset e afirmimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar si “propagandë” të Beogradit zyrtar, siç e quajti, “projektin për Shqipërinë e Madhe” për të “justifikuar”, sipas tij, “përpjekjet për destabilizim në vende të ndryshme të Ballkanit”.

“Kush flet sot më së tepërmi dhe e përmend ‘Shqipërinë e Madhe’?, Shikoni mediat e Beogradit – që të gjitha e kanë në ballinë. Edhe zyrtarët e Beogradit dhe pse e përmendin ata? ‘Shqipëria e Madhe’ përmendet në Beograd, dhe jo në Tiranë e as në Prishtinë. E përmendin në radhë të parë për t’i akuzuar shqiptarët, e dyta për t’i justifikuar përkushtimet e veta destabilizuese qoftë në Kroaci, qoftë në Republikën Serbe, qoftë në Bosnje, qoftë në veriun e Kosovës, qoftë në Mal të Zi”, tha Thaçi.

Presidenti shqiptar Bujar Nishani, ndërkaq e cilësoi, siç tha, ‘çështjen kombëtare shqiptare në të gjitha shtetet e Ballkanit, kudo ku jetojnë, një çështje të shenjtë’.

Ai tha se gjeneratat e tanishme në të dyja shtetet, “bazuar mbi kontributet e gjeneratave të kaluara”, e kanë për detyrë “që të punojnë fort për të forcuar vendet në aspektet zhvillimore e përparuese”.

“Proceset e tjera të integrimit, ku si yll polar qëndron ajo në Bashkimin Evropian, janë procese që do të ecin në rrugën e tyre pa u ndalur dhe çdo gjeneratë që do të vijë në të ardhmen, jam i bindur, që do ta përmbush me dinjitet detyrën që koha do t’i afrojë si sfidë”, tha Nishani.

Thaçi e Nishani thanë se ‘sa më të konsoliduara të jenë institucionet dhe politikat e brendshme, aq më shpejtë të dyja vendet do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian’.

Thaçi ka vlerësuar punën e Nishanit për, siç tha, “popullin shqiptar dhe angazhimin e tij për njohjen e Kosovës, si dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme” dhe për këto merita, i ndau mirënjohjen “Urdhri i lirisë”.

Mustafa vlerëson lartë kontributin e Nishanit për Kosovën

 Mustafa vlerëson lartë kontributin e Nishanit për Kosovën
Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot presidentin në largim të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për kontributin e madh që presidenti Nishani ka dhënë për Kosovën, gjatë mandatit të tij në krye të shtetit shqiptar.

Duke vlerësuar përkrahjen e madhe të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, kryeministri Mustafa theksoi rolin e veçantë pozitiv dhe unifikues të Presidentit Nishani në proceset zhvillimore në Kosovë, në Shqipëri dhe më gjerë.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi presidentin Nishani edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe përkushtimin e tij për avancimin e mëtejshëm të zhvillimit ekonomik, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, integrimet euroatlantike dhe proceset tjera për zhvillimin e shtetit.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral me Shqipërinë në të gjitha fushat.

Presidenti Bujar Nishani, falënderoi kryeministrin Mustafa për punën dhe përkushtimin e tij për fuqizimin e shtetit të Kosovës si dhe avancimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.

Presidenti Nishani foli për proceset aktuale në Kosovë, në Shqipëri dhe më gjerë, duke theksuar besimin e tij për avancimin e proceseve demokratike dhe euroatlantike.

Presidenti Bujar Nishani theksoi, po ashtu, përkushtimin e mëtejshëm për të kontribuuar për avancimin e proceseve në Kosovë, duke vlerësuar lartë lidershipin e kryeministrit Isa Mustafa në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!