BE-ja paralajmëron Malin e Zi pas plagosjes së gazetares

Procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Europian nuk do të shënojë hapa përpara për sa i përket çështjes së mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së shtypit, paralajmëroi sot komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn.

E specializuar në çështjet kriminale, gazetarja Olivera Lakiq, 49 vjeç u qëllua në këmbë me armë zjarri nga një person i panjohur para banesës së saj në Podgoricë. Ky agresion është i fundit nga një seri e gjatë aktesh, ende pa asnjë autor.

”Nëse nuk ka përparime në lidhje me këto çështje, atëherë do të pengohej natyrshëm perspektiva europiane e Malit të Zi”, u shpreh Johannes Hahn, gjatë vizites në Mal të Zi, ku u takua me gazetaren Olivera Lakiq.

Agresioni i ushtruar ndaj gazetares është qartësisht një sulm ndaj lirisë së medias, paralajmëroi ai. Kjo është e papranueshme për ne. Ky akt ndikon sigurisht në reputacionin e vendit.

Hahn kërkoi që të gjenden autorët, por gjithashtu mbështetësit e tyre, personat që fshihen pas, të vihen para drejtësisë.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!