Amerika përkujton viktimat e 11 shtatorit – Kosovë, flamuri amerikan ulet në gjysmështizë

Shtetet e Bashkuara shënuan të dielën 15-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, kur terroristë të Al Kaidës rrëmbyen avionët e pasagjerëve dhe i përplasën ata tek ndërtesta e Qendrës Botërore të Tregtisënë Nju Jork dhe në Pentagon, pranë Uashingtonit. Një tjetër avion i rrëmbyer u rrëzua në Pensilvani.

Në kujtim të kësaj dite dhe në respekt të viktimave, në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua një ceremoni solemne me pjesëmarrjen e Presidentit Barack Obama, ku u mbajt një minutë heshtje në orën 8:46 të mëngjesit të së dielës, pikërisht në orën kur avioni i parë u përlas më 11 shtator të vitit 2001 tek Qendra Botërore e Tregtisë.

Më vonë Presidenti foli në një ceremoni në Pentagon, për të nderuar kujtimin e atë vrarëve atë ditë. “Ne i kujtojmë dhe nuk do t’i harrojmë kurrë rreth 3 mijë jetët e bukura që i morën prej nesh barbarisht”, – tha presidenti.

Ai u zotua se terroristët nuk do të jenë kurrë të aftë të mundin një komb kaq të mrekullueshëm dhe të fuqishëm si ai amerikan, duke vlerësuar shumëllojshmërinë etnike të SHBA me njerëz nga të të gjitha racave dhe feve. “Këtu qëndron fuqia jonë,” – tha Presidenti.

Viktimat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork u kujtuan në një ceremoni tek vendi që njihet si “Niveli Zero”, ku morën pjesë edhe kandidatët presidencialë Hillary Clinton dhe Donald Trump, të cilët të dielën i ndaluan veprimtaritë e fushatës.

Në ceremoni u lexuan nga familjarët e viktimave, në një atmosferë solemne, emrat e 2,983 personave të vrarë atë ditë të tmerrshme.Po në Nju Jork, pas perëndimit të Diellit, do të projektohen në qiell dy rreze drite gjigande, në kujtim të dy kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, që u rrëzuan ditën e 11 shtatorit 2001.

Kosovë, flamuri amerikan ulet në gjysmështizë

Në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA, flamuri amerikan u ul këtë të dielë në gjysmështizë nga Garda e Nderit e Policisë së Kosovës, ndërsa zjarrfikëset në Prishtinë parakaluan me alarme të ndezura në sheshin “Bill Clinton”.

THAÇI: 11 SHTATORI, SULM NDAJ BOTËS SË LIRË

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në 15 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit ka thënë se ato sulme nuk ishin vetëm ndaj amerikanëve por ndaj gjithë botës së lirë demokratike.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka shprehur respektin për kombin amerikan duke thënë se ata e përballuan këtë tragjedi me kurajë e fisnikëri.

Lexoni postimin e plotë:

Në përvjetorin e 15-të të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ne jemi pranë popullit mik amerikan për të ndarë me të dhimbjen për humbjen e mbi 3 mijë qytetarëve të pafajshëm, si dhe për të shprehur angazhimin tonë të palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.

Po ashtu, shprehim respektin tonë për fuqinë e madhe shpirtërore të këtij kombi madhështor, i cili e përballoi këtë tragjedi me kurajë e fisnikëri, dhe dhimbjen e ktheu në forcë për të luftuar terrorizmin.

Ato akte mizore terroriste ishin sulm ndaj mbarë botës së lirë e demokratike që synonin të shkelnin mbi parimet dhe vlerat humane universale, të cilat ne i konsiderojmë të shenjta e të paprekshme, prandaj ne i jemi mirënjohës shtetit amerikan për udhëheqjen e luftës kundër terrorizmit botëror.

Në ato sulme humbën jetën edhe tre bashkëkombës tanë, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj, gjë që tregon se terrorizmi na kërcënon të gjithë e nuk njeh fe, racë apo komb. Prandaj, kjo ditë përkujtuese duhet të shërbejë gjithashtu edhe si një thirrje kundër dhunës, jotolerancës, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.

YMERI: I SHPREHIM SOLIDARITET POPULLIT AMERIKAN

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri përmes një statusi në Facebook ka shprehur solidarizimin me viktimat e 11 shtatorit në SHBA.

Sot unë, bashkë me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ashtu si gjithë populli i Kosovës, përkujtojmë me dhimbje viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Prej atëherë marrëdhëniet ndërkombëtare janë shënuar prej paradigmës së luftës kundër terrorit.

Ne i shprehim solidaritet popullit amerikan, dhe mbetemi të bindur se arma më e mirë për ta luftuar terrorin janë zhvillimet demokratike, sistemet e mirëqenies e përkujdesjes sociale si dhe forcimi i sistemit të edukimit. Sa më pak të përjashtuar e të papërfaqësuar, aq më pak terren për rekrutim e indoktrinim në grupet terroriste.

Besojmë fuqishëm se demokracitë do ta fitojnë këtë përballje!

MUSTAFA PËRKUJTOI VIKTIMAT E SULMEVE TERRORISTE TË 11 SHTATORIT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në përvjetorin e 15-të, ka përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste në SHBA, të cilat morën jetën e mijëra njerëzve dhe shkaktuan pasoja të tjera të mëdha.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Mustafa tha se më 11 shtator 2001 në Nju Jork, në objektin e Pentagonit dhe në Pensilvani, u sulmua bota demokratike dhe vlerat më kulmore të saj.

“Nga atëherë, vende të ndryshme të botës ishin cak i sulmeve terroriste dhe viktima të shumta të pafajshme pësuan nga këto akte barbare. Por, koha po e dëshmon se bota demokratike në krye me SHBA-të, e prirë nga vlerat më të larta humane, është sot më e fortë dhe më e vendosur në përballje me këtë të keqe globale. SHBA-të, populli i saj dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në mbarë botën, përkundër dhimbjes së pamasë, nuk u gjunjëzuan më 11 shtator dhe janë sot më të përkushtuar se kurrë në fuqizimin e vlerave të lirisë, të demokracisë e të mirëqenies, anekënd globit”, ka thënë kryeministri.

Duke shprehur nderimin dhe duke përkujtuar të gjithë viktimat e 11 shtatorit, kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta globale, të udhëhequra nga SHBA-të, në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!