Kryeministri i deritanishëm i Kosovës, Isa Mustafa, i ka dorëzuar detyrën kryeministrit të sapozgjedhur të Kosovës, Ramush Haradinaj. Pritja e zotit Haradinaj në Kryeministri është bërë me ceremoni shtetërore, ku Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës është rreshtuar dhe ka intonuar himnin e Kosovës, për nderë të dorëzim-pranimit të detyrës së kryeministrit.
Ndërkaq, zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë me rastin e konstituimit të institucioneve të reja të Kosovës ka kërkuar që institucionet të vazhdojë të ecë përpara në rrugën e saj evropiane.
BE-ja kërkon nga Qeveria e sapoformuar të fillojë menjëherë të punojë për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave të nevojshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e ekonomisë, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Agjendën e Reformave Evropiane, dhe marrëveshjeve tjera përkatëse mes BE-së e Kosovës.
Qeveria ime, qeveri e qytetarëve
Ramush Haradinaj iu drejtua rrjeteve sociale për të përcjellë mesazhin e parë drejtuar qytetarëve të Kosovës pas marrjes së drejtimit të vendit.
“Qeveria që do të drejtoj, do të jetë qeveri e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, besimi, përkatësie politike apo ideologjie dhe do të jetë më e gatshme se asnjëherë më parë që të bashkëpunojë ngushtë më opozitën parlamentare, shoqërinë civile dhe median”, shkruan Haradinaj.
“Nisja e re për Kosovën bëhet, vetëm duke qenë të bashkuar, e me besim tek njëri-tjetri!”, mbyll mesazhin e tij Haradinaj.