Rumia, Shasi, Cetina…

Ismet Kallaba

Ngjarjet dhe incidentet e ndodhura të dielën në Cetinë, me rastin e kurorëzimit të mitropolitit të ri të Mitropolisë Bregdetare Malazeze të Kishës Ortodokse Serbe janë diçka që është paralajmëruar prej shumë kohësh dhe pjesë e skenarit të kësaj kishe. Kisha Ortodokse Serbe është instrument që i shërben qëllimeve hegjemoniste dhe ekspansioniste të politikës serbe në Malin e Zi dhe vendet tjera të rajonit, e riemërtuar së fundmi si “bota serbe”, por që në thelb është vazhdimësi e politikës dhe e programeve të Çubrilloviqit, Qosiqit, Millosheviqit etj. për krijimin e Serbisë së Madhe. Në politikën e saj, kjo kishë nuk ka asgjë të përbashkët me parimet fetare, sepse ajo predikon urrejtjen ndaj çdo gjëje joserbe, sidomos ndaj shqiptarëve. Kjo u dëshmua me thirrjet raciste të pjesëmarrësve para peshkopatës në Podgoricë, ndërsa kulmoi me këngën “Kur ushtria në Kosovë të kthehet…”, që u këndua nga priftërinjtë dhe vetë mitropoliti i ri Joanikije me rastin e shugurimit të tij në Manastirin e Cetinës. Kisha Ortodokse Serbe ka luajtur rol të rëndësishëm në luftrat vëllavrasëse në ish-Jugosllavi. Përfaqësuesit e saj kanë bekuar kriminelët më të mëdhenj serbë në kryerjen e krimeve ndaj popujve të tjerë në ish-Jugosllavi. Ajo njeh vetëm gjuhën e dhunës dhe të forcës për arritjen e qëllimeve të saj.

Në rastin e Cetinës, veprimi i Qeverisë së Malit të Zi duhet kuptuar edhe si një shërbim apo kthim borxhi që ajo i kishte Kishës Ortodokse Serbe për ardhjen në pushtet, pasi që dihet se kjo kishë ka luajtur rol vendimtar në zgjedhjet e fundit parlamentare

Historikisht Kisha Ortodokse Serbe ka qenë e privilegjuar në Mal të Zi. Pavarësisht se ligjërisht feja është e ndarë nga shteti, në vendet ortodokse kisha është shumë afër me shtetin, për të mos thënë se është mbi shtetin. Shembujt më të mirë për këtë janë Rusia, Greqia, Serbia etj. Në Malin e Zi, pavarësisht se de jure të gjitha fetë janë të barabarta, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e qytetarëve të Malit të Zi i përkasin fesë ortodokse, Kisha Ortodokse Serbe ka qenë e përkëdhelura e pushtetit. Ajo ka krijuar, de facto, shtet brenda shtetit. Kisha Ortodokse Serbe ka përvetësuar e gllabëruar pjesën më të madhe të objekteve të trashëgimisë historike, fetare e kulturore në Malin e Zi. Duke i toleruar këto veprime të Kishës Ortodokse Serbe, me apo pa qëllim, shteti ka treguar dobësi.
Atë që ka ndodhur në Cetinë, shqiptarët në Malin e Zi e kanë përjetuar më herët, që prej fillimit të viteve ’90 të shekullit të kaluar, në Ostros, Rumi, Shas, Martinaj (Guci) etj. Kuptohet, në aspektin e rëndësisë, Cetina nuk mund të krahasohet pasi që është kryeqendër historike, fetare, kulturore dhe simbol i shtetësisë dhe i pavarësisë së Malit të Zi. Prandaj duke e goditur Cetinën, qëllimi ka qenë përulja dhe gjunjëzimi i Malit të Zi si shtet dhe i ithtarëve të pavarësisë së Malit të Zi. Për çudi apo ironi, metodat e përdorura nga Kisha Ortodokse Serbe janë pothuajse të njëjta me ato të përdorura në Rumi dhe në Shas. Ashtu si në rastin e Rumisë, ku u përdor një avion ushtarak i Ushtrisë jugosllave për transportimin dhe vendosjen e objektit metalik në formë të kishës, edhe në rastin e Cetinës avioni i Ushtrisë së Malit të Zi u përdor për transportin e patriarkut serb Porfirije dhe mitropolitit të ri Joanikije. Po ashtu, ashtu si në Shas, njësitet speciale të policisë malazeze u përdorën kundër protestuesve dhe për t’i hequr barrikadat, duke iu hapur rrugën priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe për të mbajtur ceremoninë fetare. Është e pakuptimtë dhe absurde se në të gjitha rastet, nën arsyetimin e garantimit të lirive fetare, i gjithë aparati shtetëror, përfshirë policinë dhe ushtrinë, janë vendosur në shërbim të Kishës Ortodokse Serbe. Në rastin e Cetinës, veprimi i Qeverisë së Malit të Zi duhet kuptuar edhe si një shërbim apo kthim borxhi që ajo i kishte Kishës Ortodokse Serbe për ardhjen në pushtet, pasi që dihet se kjo kishë ka luajtur rol vendimtar në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Është e pakuptimtë dhe absurde se në të gjitha rastet, nën arsyetimin e garantimit të lirive fetare, i gjithë aparati shtetëror, përfshirë policinë dhe ushtrinë, janë vendosur në shërbim të Kishës Ortodokse Serbe

Ngjarjet e ditëve të fundit në Cetinë mund të konsiderohen edhe si një betejë e fituar nga Kisha Ortodokse Serbe, ndërsa Mali i Zi ka treguar edhe një herë se është peng i Kishës Ortodokse Serbe, si personifikim i politikës hegjemoniste serbe. Fajtorë për këtë situatë nuk janë vetëm partitë proserbe në pushtet, por kësaj i ka kontribuar edhe vetë opozita e tanishme, e cila për 30 vite ka toleruar ekstremizmin fetar të Kishës Ortodokse Serbe. Është e sigurt se Kisha Ortodokse Serbe nuk do të ndalet këtu (me kaq), por do të vazhdojë jetësimin në praktikë të politikës ekspansioniste. Shtrohet pyetja vetëm se kush do ta ketë radhën…

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!