Debati mbi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, i cili mban peng dhe liberalizimin e vizave të Kosovës, sollën që Presidenti Ilir Meta, në vizitën e tij zyrtare në Prishtinë, të merrte një kërkesë të drejtpërdrejt nga homologu i tij, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga homologu i tij nga Shqipëria, Ilir Meta që shteti shqiptar t’u lëshojë nënshtetësi qytetarëve të Kosovës në mënyrë që të shmanget nga izolimi, që sipas tij, i ka vënë Bashkimi Evropian Kosovës.
“Nuk shoh me këtë parlament një zgjidhje të situatës, prandaj ju lutem Zoti president ne përputhje me kushtetutën, jepini pasaporta shtetasve të Kosovës”, tha Hashim Thaçi.
Por, edhe pse e cilësoi si të padrejtë këtë kusht të vendosur nga BE, Presidenti Meta, nuk e shikon këtë si zgjidhje të problemit.
“Është e padrejtë vendosja e këtij kushti, por nuk është zgjidhja dhënia e pasaportave shqiptare. Duhet dialog nga e gjithë politika”, u shpreh Meta.
DEKLARATË E PËRBASHKËT E PRESIDENTËVE
TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË KOSOVËS MBI MARRËDHËNIET VËLLAZËRORE E TË PARTNERITETIT STRATEGJIK
Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës së Kosovës,
Të udhëhequr nga parimet dhe vlerat evropiane,
Duke i qëndruar qëllimit të përbashkët për konsolidimin e lirisë, paqes, stabilitetit, dhe begatisë në të dy shtetet dhe në rajonin ku bëjnë pjesë,
Të bindur në përfaqësimin më të mirë të interesit strategjik të qytetarëve të të dy shteteve për integrim në familjet evropiane dhe euro-atlantike,
Me besimin se “politika e zgjerimit” dhe e “dyerve të hapura” për rajonin mbeten katalizatorë të sigurisë, demokracisë, dhe zhvillimit,
Ranë dakord të:
Mbështesin ripërtëritjen e përpjekjeve të qeverive të të dy shteteve respektive në zhvillimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut dhe kohezionit shoqëror me qëllim arritjen sa më shpejt të standardeve evropiane;
Rikonfirmojnë vullnetin e ndërsjellë për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit vëllazëror e strategjik dhe me partnerët ndërkombëtarë;
Shprehin mirënjohjen për vendet mike dhe partnerët strategjikë për mbështetjen e pakursyer e të jashtëzakonshme që kanë dhënë ndër vite, përkrahje kjo e cila mbetet e domosdoshme edhe për të ardhmen;
Përshëndesin riangazhimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor përmes Procesit të Berlinit, misionin e të cilit e shohim në dritën e Delors për “Konkurrencën që nxit, bashkëpunimin që forcon dhe solidaritetin që bashkon”;
Rikonfirmojnë vullnetin e sinqertë për bashkëpunim të hapur dhe efikas me të gjitha vendet e rajonit në dobi të qytetarëve dhe të proceseve integruese;
Shprehim solidaritetin ndaj sfidave që përballin vendet mike dhe partnerët tanë strategjikë dhe zotohen për të dhënë kontributin e dy shteteve respektive në ballafaqimin me këto sfida;
Refuzojmë me vendosmëri çdo alternativë tjetër që bie ndesh me projektet strategjike të integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe nxisin veprim të koordinuar, duke u përqendruar në:
1. Përshpejtimin simetrik të proceseve të integrimit të të gjitha vendeve të rajonit që dëshirojnë të anëtarësohen në BE dhe NATO; integrimi në BE dhe NATO mbeten procese thellësisht politike, me ndikim të jashtëzakonshëm në përfundimin e proceseve të paqes në rajon;
2. Hartimin e një dokumenti strategjik për anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE dhe NATO;
3. Liberalizimin sa më të shpejtë të vizave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, me angazhimin se Kosova do të bëjë çdo përpjekje, të zgjidhë, në mirëbesim dhe mirëkuptim të ndësjelltë, çështjet që lidhen me marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me fqinjin e saj, Malin e Zi;
4. Vazhdimin e fazës përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, duke ftuar një angazhim të ripërtërirë të BE-së dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të ShBA-ve, me qëllim njohjen përfundimtare të Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga ana e Serbisë, si një proces që do të ketë efekte pozitive për të gjithë rajonin.
Prishtinë, më 11 tetor 2017.
Presidenti Presidenti
i Republikës së Shqipërisë i Republikës së Kosovës
Ilir Meta Hashim Thaçi