Serbia ka deportuar një grup të rusëve të dyshuar për përfshirjen në komplot për grusht-shtet në Malin e Zi, mëson The Guardian.
Komplotistët planifikonin që të veshën me uniforma të policisë për ta sulmuar Parlamentin e Malit të Zi, kryeministrin Millo Gjukanoviq dhe për të instaluar një parti pro-Moskës.
Një grup prej 20 serbëve dhe malazezëve, disa prej të cilëve kishin luftuar me separatistët e mbështetur nga Moska në Ukrainën lindore, u arrestuan në Podgoricë, kryeqytetin e Malit të Zi. Në Serbi, ndërkohë, disa shtetas rusë janë dyshuar për koordinim të komplotit dhe u kapën me 120 mijë euro dhe uniforma të forcave speciale.
Burimet diplomatike të “The Guardian” thonë se qeveria e Beogradit në heshtje ka dëbuar rusët pas ndërhyrjes së kryetarit të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev, i cili fluturoi në Beograd më 26 tetor, në një përpjekje të dukshme për përmbajtjen e skandalit. Ministri i brendshëm i vendit, Nebojsha Stefanoviq mohoi se qeveria ka kryer ndonjë dëbim lidhur me komplotin.