In Memoriam: Gjon – Gjovo Kalaj

SHKRUAN: NIKOLLË GEGAJ

Në moshën 76 vjeçare, me 17 tetor të këtij viti, në fshatin Pikal (Grudë), Malësi, u largua prej nesh Gjon-Gjovi Kalaj. Gjovi ishte burrë i sinqertë, i përpiktë dhe pa asnjë njollë në jetën e tij. Ishte burrë i pashëm, zemërgjanë, bujar, bamirës, aktivist shoqëroro-politik, që prej moshës 20 vjeçare. Duke ndjekur shkollën e burrnisë malësore me dekada, këshillat dhe edukatat në familje, mund të themi se në moshë shumë të re u kalit dhe u bë një burrë besnik, fisnik, i ndershëm, si edhe një bamirës dhe aktivist i palodhur. Sot nuk ka gjë më të bukur se të kesh zemër të gjerë dhe të madhe. Gjovi i kishte gjitha karakteristikat që i ka njerëzia. Me themelimin e Komunës së Tuzit në vitin 2006 ishte këshilltar në Kuvendin Komunal. Nuk dëshironte që të zhvillonte përplasje politike sepse nuk ishte një natyrë i tillë. Kurrë nuk i ka dalë asnjë fjalë e keqe, madje as për ata që ishin të tillë. Në shumë raste e përdorte fjalën e urtë popullore, e cila thotë: “uji shkon e rana rrinë”. Andaj, sipas Tij, çka mendoj se duhet të jetë moto i rrjedhave dhe proceseve politike tek ne, politika është e lëvizshme mirëpo ne si vëllezër duhet ta ruajmë njëri tjetrin, ta mbajmë pranë njeri tjetrin, pavarësisht nëse kemi kuptime apo nocione të ndryshme politike.

Gjithnjë ka qenë i dalluar për bujari, bamirësi, mikpritje me zemër të pastër Malësori, për të gjithë miqtë, dashamirësit, pavarësisht nga ndryshimet që ekzistojnë në shoqërinë tonë. Andaj zemra e Tij, sikurse edhe shtëpia, ishte gjithmonë e hapur. Sofra në shtëpinë e tij,-në çdo festë, si për Zoj të Grudës, ashtu edhe për Krishtlindje dhe Pashkë, ishte e tejmbushur me burra dhe burrnesha të konfesioneve të ndryshme. Të gëzuar dhe me lumturi trokisnin gotat Antoni dhe Muhamedi, Kristijani dhe Vladimiri… Ishte burrë model i vullnetit të mirë, kozmopolit, i papërkulur edhe në kohërat e sfidave të shumta të jetës. Ishte vëllai i Gjergj Kalajt, i cili vdiq në mars të vitit 2016 në SHBA dhe ishte një ndër veprimtarët më të angazhuar dhe më të guximshëm për çështjen Shqiptare, veprimtaria e të cilit i tejkalonte kufijtë e fshatit të lindjes së tij Pikal dhe të Malësisë.
Gjovi e deshi shumë vendlindjen. Kishte lutje të shpeshta dhe, pothuajse, këmbëngulëse nga djali i Tij Pjetri, që të shpërngulet, me bashkëshorten e vet, ne SHBA. Nuk dëshironte edhe pse malli ndaj djalit të vetëm, që kishin, ishte i madh. Kishte dashuri të madhe per katundin e vetë Pikalën, që e donte shumë, ku së bashku me bashkëshorten e vet jetoi deri në çastet e fundit të jetës. Unë isha shok me të edhe pse nuk ishim moshatarë. Kishim 26 vjet dallim, mirëpo ato nuk ishin pengesë që mos të kemi respekt të lart per njëri tjetrin dhe mos të shoqërohemi. Unë dhe PDS, tërë jetë, do ta përkujtojmë me respekt do të përkujtojmë këtë burrë bamirës që ishte një aktivisti ynë i shkëlqyeshëm. I nderuari ynë Gjovi, të jesh i sigurtë se ne do ta ruajmë figurën tënde shembullore nga pluhuri i harresës. Familja, farefisi dhe dashamirët e Gjovit mund të krenohen me virtytet e larta njerëzore që ai i posedonte.

Pushoftë në paqe!

Autori i tekstit është ish deputeti në Parlamentin e Malit të Zi dhe ish kryetari i Komunës sê Tuzit.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!