Shpërthim në Stamboll, të paktën 10 vrarë (Video)

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se një sirian besohet të jetë përgjegjës për shpërthimin e sotëm vetëvrasës në Stamboll që shkaktoi të paktën 10 të vdekur dhe 15 të plagosur. Erdogan e dënoi sulmin në një fjalim televiziv dhe tha se mes të vdekurve ka turq dhe të huaj.

Shpërthimi goditi lagjen historike Sulltanahmet, një zonë e rëndësishme turistike, e njohur për objekte të tilla si Xhamia Blu dhe Shën Sofia, në qendër të njërit prej qyteteve më të vizituar të botës.

Kryeministri Ahmet Davutoglu thirri një takim të ngutshëm të zyrtarëve të sigurisë. Dy zyrtarë të lartë të sigurisë thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se gjasat janë që pas shpërthimit të kenë qenë militantët e Shtetit Islamik ISIS.

Turqia vazhdon të jetë në gatishmëri pas dy shpërthimeve vetvrasës në muajin tetor, ku më shumë se 100 njerëz humbën jetën gjatë tubimit të veprimtarëve të paqes pranë një stacioni treni në kryeqytetin Ankara.

Qeveria anuloi festimet e Vitit të Ri në Ankara, pas arrestimit të dy anëtarëve të ISIS-it, të dyshuar se po planifikonin sulme vetëvrasëse.

Shperndaje