ASH dhe Forca i dërgojnë kërkesë kryetarit të Kuvendit Krivokapiq

Forca e Re Demokratike dhe Alternativa shqiptare i kanë dërgua një kërkesë Kryetar të Kuvendit të Malit të Zi Ranko Krivokapiq lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve.

Kërkesen e plotë mund ta lexoni më poshtë.

I nderuari Kryetar i Kuvendit Krivokapiq,

Ashtu siç edhe jeni  të njoftuar, kjo iniciativë e të gjitha subjekteve politike shqiptare dhe deputetëve që përfaqësojnë partitë shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi,  ka të bëjë me ndryshimin e Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve në këtë kuvend. Për këtë arsye po ju dërgojmë KËRKESË që të merrni në  konsideratë propozimin tonë  në mbledhjen  e grupit punues i cili përgatit ” Marrëveshjen për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të drejta. “
Këtë KËRKESË po ju dërgojmë pas marrjes së procesverbaleve nga seanca e  dytë e dialogut politik që subjektet parlamentare në rreth të ngushtë mbajtën me  09 shkurt 2016, dhe në të cilën ju nuk e parashtruat iniciativën tonë.
Ju perkujtojmë se të njëjtën  kërkesë e kemi parashtruar edhe në takimet e liderëve të subjekteve politike që kanë përfaqësues në Kuvendin e Malit të Zi. Gjithashtu ju perkujtojmë se ka pasur komente pozitive të disa liderëve politik, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar problemin e mandateve të shqiptarëve në një nga seancat e ardhshme, me qëllim të korrigjimit të padrejtësisë që në vend të diskriminimit pozitiv dhe sigurimit të numrit të përfaqësuesve në Parlamentin e Malit të Zi, ka çuar deri te mohimi i të drejtave të shqiptarëve të garantuara me Kushtetutë.

Pasi ju vetë personalisht keni premtuar se do ta merrni në konsideratë këtë çështje në një nga seancat aktuale, ju lutemi  që këtë KËRKESË ta merrni  parasysh dhe ti kushtoni  vëmendjen e duhur,  në mënyrë që edhe ne, si një pakicë,  të trajtohemi në mënyrët të barabartë në procesin zgjedhor.

Nga ju presim qëndrim pozitiv për këtë çështje.

Me respekt,

Forca e Re Demokratike                                                                            Alternativa Shqiptare
        Nazif Cungu                                                                                              Gjergj Camaj
   Ulqin 11.02.2016                                                                                            Tuz 11.02.2016

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!