Përfundon procesi i ratifikimit nga të gjitha 28 shtetet e NATO-s

Pasi Dhoma e Lartë e Parlamentit spanjoll ratifikoi të mërkurën protokollin mbi pranimin e Malit të Zi në NATO, ka përfunduar procesi i ratifikimit nga të gjitha 28 shtetet anëtare Aleancës.

“Pas 1 qershorit, hyn në fuqi akti i ratifikimit në Holandë, ku përfundon procedura kombëtare, dhe do të pasojë ftesa nga Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, dërguar Malit të Zi për t’u bashkuar me NATO-n”, thuhej në njoftimin e qeverisë malazeze.

Qeveria e këtij vendi ka njoftuar se si Mali i Zi, me krenari po përfundon një nga objektivat e saj prioritare për zhvillimin e një shteti modern dhe demokratik.

Procesi i ratifikimit të protokollit të anëtarësimit kishte filluar në shtetet anëtare të NATO-s në qershor të vitit 2016, kurse vetëm dy ditë më vonë, vendi i parë që e ka bërë një gjë të tillë ishte Islanda, e cila pikërisht dhjetë vite më parë, ishte shteti i parë që njohu pavarësinë e Malit të Zi.

Shperndaje