Iniciativës rajonale Ballkani i Hapur shumë shpejtë mund t’i bashkohet një anëtar i ri. Mali i Zi, me ardhjen e qeverisë së re, ka filluar të ndryshojë qëndrim ndaj kësaj nisme, të cilën më herët e kishte kundërshtuar.
Ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, dhe ministri i Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Fatmir Gjeka, për gazetën Nacionale kanë deklaruar se kjo iniciativë nuk është prezantuar mirë para opinionit publik.
Sipas tyre, çdo iniciativë e përkrahur nga ShBA-të duhet të analizohet mirë nga shqiptarët.
Ministri Dukaj ka thënë se Ballkani i Hapur mund të sjellë shumë të mira.
“Unë vlerësoj se çështja e ‘Open Balkan’ nuk është prezantuar siç duhet para opinionit. Vlerësoj së ky është një gabim, fillimisht, i atyre që e kanë promovuar”, ka deklaruar Dukaj, duke shtuar se “çdo iniciativë që përshëndetet dhe promovohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shqiptarët e kanë obligim që ta analizojnë e ta shqyrtojnë seriozisht.”.
Të njëjtin mendim ndan edhe ministri i Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Fatmir Gjeka.
Ai ka treguar për gazetën Nacionale se qeveria e re shumë shpejtë do ta shqyrtojë këtë çështje.
“Iniciativat rajonale janë të mira dhe hapja e qarkullimit të lirë të mallrave dhe njerëzve është e mirë. Por gjithmonë duhet ta analizojmë dhe ta shqyrtojmë së bashku dhe pastaj të merren vendimet e duhura. Është normale që do ta shqyrtojmë, e do të shohim benefitet që kjo mund të sjellë. Unë mendoj që duhet të ju ofrojmë shumë më shumë informacione njerëzve dhe çdo gjë rreth kësaj iniciative ta diskutojmë së bashku. Nuk është se e kemi pranuar, por as nuk e kemi hedhur poshtë.”, ka thënë Gjeka.
Mali i Zi dhe Kosova nuk kanë çështje te hapura
Raportet në mes të dy shteteve fqinje, të dy ministrat shqiptarë në Qeverinë e re të Malit të Zi i kanë konsideruar si të mira.
Ata kanë deklaruar për gazetën Nacionale se Mali i Zi dhe Kosova nuk kanë asnjë çështje të hapur.
Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj, ka thënë se kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq gëzon raporte shumë te mira me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, meqë ata kanë origjinën nga i njëjti qytet.
“Unë nuk shoh asnjë problem të hapur ndërmjet dy shteteve tona mike. Natyrisht se gjithmonë, në çdo sferë e në çdo fushë, ekziston mundësia për t’u thelluar bashkëpunimi, përmes projekteve të ndryshme. Kam shumë shpresë që edhe Z. Abazoviq do të angazhohet rreth kësaj, pasi që ka një lidhje shumë të ngushtë edhe me vetë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pasi që të dy vijnë nga Ulqini.”, ka thënë Dukaj.
Ai ka shtuar se Abazoviq është politikan me qasje qytetare, i cili nuk vjen nga partitë nacionale shqiptare. “Dikush e lidh këtë me shqiptarët. Sigurisht, është një kënaqësi e veçantë që të kemi një kryeministër shqiptar, edhe pse ai vjen nga një subjekt politik që nuk është nacional. Ai është i drejtuar kah politikat e të gjelbërve, dhe udhëheq një subjekt qytetar. Ky është një lajm shumë më i madh dhe më i mirë, për Malin e Zi në rradhë të parë dhe për emancimipin e qytetarëve të këtij vendi.”, ka deklaruar Dukaj, duke shtuar se kjo do të shërbejë për mirë edhe në raportet e Malit të Zi me shtetet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurse, Ministri i Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut në Mal të Zi, Fatmir Gjeka, ka deklaruar se raportet në mes të Malit të Zi e Kosovës janë të mira dhe se nuk sheh ndonjë arsye që ato të mos thellohen edhe më shumë.
“Mali i Zi është vendi i vetëm që nuk ka çështje të hapura me vendet e rajonit dhe është shembull për marrëdhëniet e mira, si me Shqipërinë ashtu edhe me Kosovën. Unë nuk dyshoj për thellimin e bashkëpunuimit. Nuk ka asnjë arsye që të mos thellohet bashkëpunimi. Duke ditur se Mali i Zi, si vendi i vetëm nga ato të Ballkanit Perëndimor, është më afër integrimit në BE dhe ka ecur shumë para të tjerëve e duke hapur të gjithë kapitujt.”, është shprehur Gjekaj për Nacionalen.
Prioritetet e dy ministrave
Të dy ministrat kanë treguar prioritet që ata kanë gjatë kësaj qeverie. Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj, potencoi faktin se në atë pozitë, vjen si kuadër nga subjektet nacionale shqiptare, duke shtuar se kjo ndodh për herë të parë në historinë e Malit të Zi.
“Në Qeverinë e 43-të të Malit të Zi, për herë të parë kemi dy ministra shqiptarë, njëri nga të cilët jam edhe unë, që vij dhe flas nga subjektet nacionale shqiptare. Në fillim dua të potencoj se për herë të parë, një subjekt nacional, e merr në udhëheqje një ministri, që nuk është Ministria e Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut. Ne, si subjekt nacional, pra Alternativa Shqiptare, mundohet dhe angazhohet për integrimin e plotë dhe të merituar të shqiptarëve në të gjitha institucionet, duke filluar nga ato lokale e deri në ato shtetërore.”, ka deklaruar Dukaj.
Ai ka treguar se ministria e tij ka prioritet dixjitalizim dhe decentralizimin e komunave në Mal të Zi.
Sipas tij, nga këto prioritet do të përfitojnë shqiptarët e Malit të Zi. “Prioritetet tona do të fokusohen në shumë sfera. Veçanërisht, ne do të punojmë shumë për dixhitalizimin. Pjesë e programit të dixhitalizimit do të jetë edhe përdorimi i gjuhës shqipe, si një nga gjuhët zyrtare në Mal të Zi. Përveç asaj, çka është tjetër shumë e rëndësishme është e që do t’u shkojë në dobi edhe komunave shqiptare, është decentralizimi i komunave. Ne do të punojmë për këtë, sepse në Mal të Zi qeverisja në komuna është shumë e centralizuar. Duke filluar nga pronat e Komunës, deri tek arsimi, Policia, gjyqësori e shumë çështje tjera.”, është shprehur ai.
Ndërkaq, ministri i Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut në Mal të Zi, Fatmir Gjeka, është shprehur se me ardhjen e Qeverisë së re në pushtet ka përfunduar kriza në Mal të Zi.
Gjekaj ka vlerësuar se kjo fitore është e të gjithë shoqërisë malazeze, e cila ka treguar kulmin e demokracisë.
Sa i përket përmirësimit të kushteve të jetesës për shqiptarët në Mal të Zi, Gjekaj është shprehur optimist, duke thënë se pret që të bëhen investime të mëdha kapitale në komunat me shumicë shqiptare. “Mendoj që kriza në Mal të Zi ka përfunduar me zgjedhjen e Qeverisë së re. Kush fiton më shumë me zgjedhjen e Qeverisë së re? Në qoftë se e marrim ne, si shqiptarë, a fitojmë ndonjë gjë apo jo, sigurisht se po, meqë kredibiliteti i shqiptarëve dihet. Por unë mendoj që me ardhjen e kësaj Qeverie, fitoren më të madhe e ka Mali i Zi, shoqëria malazeze, e cila, për mendimin tim, ka arritur që në historinë e saj si shoqëri e si vend kulmin e nivelit demokratik, me zgjedhjen e kësaj Qeverie.”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ai pret investime të mëdha në Ulqin nga kjo Qeveri, meqë edhe kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, vjen nga ky qytet.
“Ne presim që vendet prej nga vjen edhe kryeministri, pra zonat ku banojnë shqiptarët, të kenë një zhvillim më të madh ekonomik. Unë pres që edhe në Plavë, Rozhajë e në Malësi, por sidomos për vendin prej nga është kryeministri (Ulqin), të ketë një zhvillim shumë më të madh sesa e ka pasur deri më tani. Ulqini, nga vendet bregdetare, është vendi më i varfër e me më së paku buxhet, kurse ka një potencial shumë të madh. Pra, unë pres që me Qeverinë e re, të ketë disa investime të mëdha kapitale në Ulqin dhe në vendet e tjera ku jetojnë pakicat. Në këtë mënyrë, do të ndalet migrimi dhe do t’i krijojmë kushte të rinjve që këtu të kenë një jetë të mirë, ashtu siç e dëshirojnë edhe në vendet e tjera Perëndimore.”, ka deklaruar Gjeka.