Ramush Haradinaj shpall kandidaturën për President të Kosovës

0

Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shpallur publikisht kandidaturën për President. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur një gjë të tillë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të forcës politike që drejton.

Z. Haradinaj përveç autorizimit për të zhvilluar negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës për postin e presidentit, thuhet se me aleatin qeverisë do të diskutohet dhe për ndryshimin e kabinetit qeveritar.

“Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, shprehet ai.

Z. Haradinaj ka bërë një kritikë të drejtpërdrejtë për qeverinë “Hoti” duke theksuar se është kundër dialogut teknik me Serbinë pasi “për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar”.

Ish-kryeministri ka shtuar se për çështjen e dialogut mbështet një “marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit”.

Nga ana tjetër, kreu i AAK-së ka shprehur indirekt kritika për qeverinë dhe sa i takon menaxhimit të pandemisë, ku thotë se partia e tij “qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor”.

Shpallja e kandidaturës për president nga Haradinaj, vjen në një moment kur po diskutohet për një zgjerim të mundshëm të koalicionit qeverisës LDK-AAK-Nisma-LS edhe me Partinë Demokratike, e ku pjesë e marrëveshjes mund të jetë edhe posti i presidentit.

error: Të drejtat e rezervuara !!