Shqipëri – Kroaci në “Loro Boriçi” Shkodër !

Shqipëria do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në datat e lira në muajin mars.

Kroacia mund të jetë kundërshtari i Shqipërisë në mars, ndaj së cilës do të inaugurohet edhe stadiumi i ri në Shkodër. Ishte menduar Turqia si ekipi i parë kundërshtar që do të shkelte në tapetin e impiantit të ri.

Në ditën e hedhjes së shortit për Europianin trajneri De Biazi bisedoi personalisht me trajnerin turk Fatih Terim, si dhe drejtuesit e federatave rreth mundësisë për të zhvilluar një miqësore. Duke qenë se nuk është marrë ende konfirmimi zyrtar nga federata turke, burime pranë FSHF-së bëjnë me dije se po zhvillohen bisedime që të jetë Kroacia kundërshtari i parë i kuqezinjve në mars.

Momentalisht është shtruar tapeti i fushës, si dhe ka nisur puna për vendosjen e mbulesës së tribunës qendrore dhe po ashtu edhe për fasadat e xhamit. Natyrisht që ka ende shumë punë, por brenda dy muajsh gjithçka mund të zgjidhet dhe stadiumi “Loro Boriçi” të inaugurohet në mars me një ndeshje të Kombëtares sonë.

 

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!