Martin M. Bojaj: Dinamika e inflacionit në Ballkanin Perëndimor

Dr. Sci. Martin M. Bojaj

Në fazën aktuale të Euro Zonës, e karakterizuar nga norma të larta inflacioni dhe një rrezik në rritje stanjacioni (stagflation) në Euro Zonën, rishikimi i strategjisë së politikës monetare është thelbësor për shpjegimin e vendimeve të fundit të Bankes Qendrore Evropiane dhe parashikimin e evolucionit të mundshëm të tyre. Eksplorimi sesi karakteristikat e ekonomive të Ballkanit Perëndimor (BP) mund të ndërveprojnë me rrufetë/goditjet globale dhe çfarë roli mund të luajnë faktorët e brendshëm në nxitjen e dinamikës së inflacionit në rajon është tejet e rëndesishme për momentin.

Analizat makroekonometrike tregojnë se çmimet ndërkombëtare të energjisë dhe ushqimeve luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e inflacionit në BP jo vetëm për shkak të një përçimi nga çmimet e energjisë dhe ushqimeve ndërkombëtare në ato vendase dhe një pjesë të madhe të ushqimeve në shportën e indeksit të çmimeve, por edhe për shkak të ndikimit të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve mbi inflacionin bazë dhe pritjet inflacioniste. E kombinuar me qëndrueshmërinë e lartë të të gjitha masave të inflacionit në BP që analiza dokumenton, kjo do të thotë se goditjet ndërkombëtare të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve mund të kenë një ndikim të madh dhe të qëndrueshëm në inflacion. Analiza konstaton gjithashtu se inflacioni në BP nuk nxitet vetëm nga goditjet e jashtme dhe se goditjet e brendshme shoqërohen me një pjesë të madhe të variacionit të inflacionit. Në veçanti, rezultatet nga analiza jonë SVAR tregojnë se rritja aktuale e inflacionit nuk mund t’i atribuohet plotësisht goditjeve të çmimeve të jashtme, pasi gjejmë se faktorë të brendshëm kontribuojnë në të, përfshirë kërkesën e brendshme të fortë.

Këtu nxjerren dy implikime të gjera të politikave nga këto analiza. Së pari, politikat e përkohshme që synojnë të zvogëlojnë kalimin e menjëhershëm dhe të plotë të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve ndërkombëtare në vendase mund të jenë të përshtatshme, me kusht që ato të jenë të kalibruara me kujdes për të minimizuar kostot fiskale dhe shtrembërimet ndaj sinjaleve të çmimeve. Politika të tilla mund të ndihmojnë në parandalimin e rritjes së ndjeshme të inflacionit gjatë një periudhe të shkurtër kohore dhe rrënjosjes, duke lehtësuar kështu barrën e politikave konvencionale të stabilizimit makroekonomik. Së dyti, një përzierje e qëndrueshme e politikave makroekonomike është e rëndësishme për mbajtjen e inflacionit të ulët dhe të qëndrueshëm në BP. 

Kalibrimi i kujdesshëm i përzierjes së politikave makroekonomike nënkupton gjithashtu sigurimin që çdo politikë e zbutjes së përçimit nga çmimet ndërkombëtare të energjisë dhe ushqimeve të shmangë nxitjen e presioneve të kërkesës që mund të përkeqësojnë inflacionin. Më tej, rritja e besueshmërisë së politikave të stabilizimit makroekonomik duhet të jetë prioritet për ankorimin e pritjeve inflacioniste dhe reduktimin e persistencës së inflacionit në BP, gjë që do të ndihmonte gjithashtu në përmirësimin e efektivitetit të politikave makro në uljen e inflacionit.

Rezultati i dukshëm për të gjitha vendet është se faktorët e brendshëm, veçanërisht kërkesa e brendshme dhe goditjet e politikës makro, luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e inflacionit, krahas goditjes së jashtme të çmimeve. Rreth dy të tretat e variacionit të inflacionit në terma afatshkurtër dhe rreth gjysma e variacionit të inflacionit në periudhën afatmesme i atribuohen goditjeve të brendshme mesatarisht për BP. Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kërkesa agregate dhe goditjet e politikës monetare shfaqen si goditjet më të rëndësishme të brendshme, ndërsa për Serbinë, goditjet e ofertës luajnë një rol më të madh në afat të shkurtër. Për Kosovën dhe B&H, goditjet fiskale shquhen si nxitësi i brendshëm më i rëndësishëm i inflacionit, ndërsa për Malin e Zi goditjet e kërkesës agregate private duket se kanë më shumë rëndësi. Figura 4 paraqet zbërthimet historike të devijimeve të inflacionit nga tendenca e tyre dhe ilustron kontributet e faktorëve të ndryshëm në inflacion në çdo moment të historisë.

Ndërsa çmimet ndërkombëtare të energjisë dhe ushqimeve zbuten, inflacioni total pritet të bjerë në BB, ndonëse më ngadalë se në Eurozonë. Inflacioni bazë ka të ngjarë të qëndrojë i ngritur për më gjatë. Në përmbledhje, rezultatet nga modeli SVAR sugjerojnë se inflacioni në Ballkanin Perëndimor nuk zhytet vetëm nga goditjet e jashtme dhe se roli i faktorëve të brendshëm është i rëndësishëm. Më tej, politikat e brendshme të stabilizimit makroekonomik, pavarësisht mungesës së autonomisë së politikës monetare në disa prej vendeve, kanë një rol të rëndësishëm në mbajtjen e inflacionit të ulët dhe të qëndrueshëm në BP. Kjo nënkupton se, ndërkohë që goditjet e çmimeve të energjisë dhe mallrave po kontribuojnë qartë në rritjen aktuale të inflacionit në BP, pasi këto goditje zbuten, mbajtja e politikave makroekonomike mjaft të shtrënguara do të jetë e rëndësishme për të ndihmuar në uljen e inflacionit.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!