Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim se kur do ta procedojë për ratifikim në Kuvend, marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin e kufirit.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë se nuk e dinë saktë se kur çështja do të shkojë në Kuvend, por sipas tyre, kjo do të ndodh shumë shpejt.”Nuk ka informacione se kur do të procedohet kjo çështje në Kuvend edhe pse e dimë që kjo duhet të përfundojë shpejtë”, ka deklaruar, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal,Bajram Gecaj.
Gecaj ka theksuar po ashtu se për ketë çështje partitë në pushtet dhe opozita duhet të ulen dhe të bisedojnë që të arrihet një pajtim. Pak ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kishte deklaruar se Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi duhet të zgjidhet sa më shpejt. Sipas tij, gjatë kësaj jave do të zhvillohen takime me udhëheqësit e institucioneve më të larta të shtetit në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet. Përderisa qeveria është në përgatitje të procedimit të marrëveshjes për ratifikim, subjektet politike opozitare në Kosovë e kanë kundërshtuar në vazhdimësi marrëveshjen për demarkacionin, duke konsideruar se ajo cenon tërësinë territoriale të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës,Adem Grabovci, konsideron se ratifikimi i marrëveshjes ndërkombëtare për Demarkacionin me Malin e Zi është një çështje e ndjeshme dhe ajo duhet të analizohet dhe vlerësohet drejtë,ndërsa Frashër Krasinqi nga Vetëvendosje, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky subjekt politik është interesuar që çështja e Demarkacionit me Malin e Zi të zgjidhet, por jo në dëm të territorit Kosovës. Sipas tij, kërkesa për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, para se çështja e liberalizimit të vizave të shkojë në Parlamentin Evropian për miratim, është e padrejtë, ngase siç thotë ai, një kërkesa e tillë po i bëhet vetëm Kosovës dhe nuk i është bërë asnjë shteti të rajonit.
Nga ana tjetër ministri i integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka theksuar se në rast të vonesave të miratimit të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, liberalizmi i vizave mund të zvarritet tutje.