Albin Kurti thirrje koalicionit të LDK-së për formimin e qeverisë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit, Albin Kurti, u bëri thirrje partive politike të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, që t’i fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ai i bëri këto thirrje gjatë një konference për gazetarë, dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, ku partia e tij lëvizja Vetëvendosje doli në vendin e dytë, pas koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Zoti Kurti tha se vota e 11 qershorit ka treguar se qytetarët duan ndryshime dhe se sipas tij qeveria e re duhet të jetë qeveri e ndryshimeve. Ai u bëri thirrje posaçërisht Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës që të ulen dhe të bisedojnë me Vetëvendosjen për formimin e qeverisë së re.

“Ne ftojmë të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK, AKR, Alternativa, si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK, AAK dhe NISMA që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të klanit ‘pronto’ që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar për situatën e re politike në vend pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një qeverie të re, të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha zoti Kurti.

Zoti Kurti tha se kësaj radhe qeveria duhet të udhëhiqet nga lëvizja Vetëvendosje duke përjashtuar çdo mundësi që kjo parti të heq dorë nga posti i kryeministrit. Ai tha se ndryshimet nuk mund të bëhen me emra e figura të kaluara politike.

Shperndaje