Gjeka: Sa ka qenë DPS në pushtet, kisha serbe ka bërë çka ka dashtë, duke vendosur kisha në Rumi, liqenin e Shkodrës

Në emisionin “RTK PRIME”, sonte u diskutua për zhvillimet në Mal të Zi, si dhe rolin e Kishës Ortodokse serbe në Ballkan, pas marrëveshjes së bërë me qeverinë e Dritan Abazoviqit.

Fatmir Gjeka, ministër për Pakica në qeverinë e Malit të Zi, tha se ka qenë prezent në këto zhvillime, si edhe në bisedë me komisionin për këtë çështje edhe me patriarkun serb, deri në arritjen e marrëveshjes dhe, sa ai ka mundur të shohë, se aty nuk ka asgjë politike.

“Kam qenë prezent në bisedë me patriarkun serb, i cili i tha Qeverisë se nuk kërkon asgjë më shumë se bashkësitë tjera fetare në Mal të Zi, si Bashkësia Islame ajo Katolike dhe Bashkësia Hebreje”, tha Gjeka.

Sipas tij, kjo nuk bie ndesh as me ligjin liberal që ka Mal i Zi, i cili ua mundëson regjistrimin e komuniteteve fetare, pa marrë parasysh numrin e njerëzve. Ai thotë se ndoshta kjo marrëveshje do të duhej të ishte bërë me kohë nga partia e Gjukanoviqit e jo të sjellë deri te rënia e kësaj qeverie.

“Sipas meje, nuk do të jetë asgjë, edhe nëse bie qeveria, ato vijnë  e shkojnë”, shtoi ai.

Gjeka: Kishën serbe duam ta vendosim brenda kornizave ligjore të shtetit

“Mua më irriton ajo që dëgjoj nga partia e zotit Gjukanoviqit, se janë prekur interesat e Malit të Zi, kur dihet se sa ka qenë ai në pushtet, kjo kishë ka bërë çka ka dashtë. Mali i Zi për të ka qenë një tokë e pakontrolluar, duke na i vu kishat kudo në Rumi, liqenin e Shkodrës, duke i regjistruar ato në kadastër, ndërsa sot kur ne duam ta vendosim në korniza ligjore, kushtetuese dhe ta kontrollojmë atë, këta hidhen dhe mendoj se këto bëjnë në suaza të politikës”, thotë Gjeka.

Sipas tij, kjo qeveri mund të rrezikohet nga marrëveshja dhe të sjellë edhe te zgjedhjet e reja, por ka çështje më të rëndësishme, si integrimi në BE. 

“Marrëveshja duhet të bëhet, sepse ajo mund të jetë edhe më radikale, se që është tani, sepse mund të fitojnë partitë radikale”, tha Gjeka.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, inicoi dhe zbatoi procedurën me të cilën u miratua teksti i Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, përkundër paralajmërimeve nga partitë partnere në pushtet.

Shperndaje