Samiti i Beogradit: Përplasje Rama-Vuçiç për Kosovën dhe Trepçën (Video)

Në Samitin e Beogradit për Sigurinë, kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç debatuan për Kosovën.

Në fillim, Vuçiç u ankua se Bashkimi Evropian po bënte shumë presion për Kosovën. “Serbia ka probleme me integritetin territorial dhe ky problem trajtohet ndryshe nga BE-ja dhe nga ne. Por, njerëzit duhet të dinë se kemi pasur mbështetje nga BE-ja kur kemi pasur përmbytje dhe kemi mijëra projekte në Serbi që mbështeten nga BE-ja”, tha Vuçiç, duke vazhduar më tej, duke thënë:

“Kam argumenta për të thënë se pala tjetër është fajtore, por nuk do t’i them. Unë them që me pasion do të vazhdojmë dialogun sepse është parakusht për zhvillimin ekonomik të një rajoni të tërë. E di që ka shumë njerëz në Serbi që nuk e kuptojnë atë që po them tani, që do të thonë se jam mik i shqiptarëve, por them që nuk do të jetë e lehtë për të gjetur më shumë kompromise”.

Përgjigjja e Edi Ramës ishte e qartë: “Për Kosovën nuk biem dakord fare. Unë them se sa më shpejt Serbia ta njohë Kosovën, aq më mirë për të gjithë. Por, ka një proces që unë e mbështes: dialogu Prishtinë-Beograd. E përgëzoj përpjekjen e Aleksandar Vuçiç për të parë në të ardhmen, por nuk duhet të harrojmë se kur bëjmë dialog nuk flasim për historinë apo për patriarkun, por për popullin”.

Kryeministri shtroi edhe çështjen e Trepçës, gjë që e nervozoi dukshëm homologun e tij.

Trepça është në shpirtin e Kosovës, çfarë doni të bëni? Ta importoni në Beograd?, ka pyetur në vazhdim kryeministri shqiptar.U takon qytetarëve të Kosovës, shqiptarë apo serbë. Ajo nuk duhet politizuar sepse është për zhvillim ekonomik.

Vuçiç ia ktheu duke thënë se në momentin që pa prezencë të madhe të medias kosovare, e dinte që “Edi do të bënte një politikë ditore”.

“Është politikan më i mirë se unë. Unë nuk thashë asgjë të keqe për homologët tanë nga Prishtina. Por, do të shpjegoj diçka: për Trepçën them se di më shumë se Edi. Nëse thotë se është çështje ekonomie, Prishtina bëri lëvizje të keqe për zhvillimin e saj. Nuk folën fare me serbët atje, por vazhduan procedurat dhe i shmangën ata. Jam i frustruar pasi kjo çështje na del këtu nga hiçi”.

Më herët, dy kryeministrat folën për procesin e integrimit në BE të vendeve respektive.

Shperndaje