Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq i cili qëndron për vizitë dy ditore në Kosovë, pas takimit me homologun e tij kosovar, Ramush Haradinaj, deklaroi se “si miq të vërtetë kërkojnë zgjidhjen më të mirë për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi”.
Pas takimit midis delegacioneve të të dy vendeve, kryeminsitri Markoviç në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Haradinaj, tha se Mali i Zi me Kosovën nuk kanë probleme, por se ekzistojnë disa çështje të hapura për të cilat zgjidhje do të gjindet në frymën e bashkëpunimit.
Markoviq, në pyetjen e gazetarëve theksoi se çështja e demarkacionit në kuvendin malazez është e përfunduar, por se ajo marrëveshje nuk është ratifikuar në kuvendin kosovar.
“Mali i Zi, si një fiqnj i mirë dhe miqësor, do të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, të arrijmë në një marrëveshje për kufirin shtetëror. Ne nuk duam që në këtë moment disa dallime të shëndrrohen në një problem apo pyetje e hapur. Pra, ne biseduam për atë me qëllime të mira, si miq të vërtetë dhe për vazhdimin e dialogut që tashmë e kemi dhe i cili do të na sigurojë gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë në mënyrë që të kemi marrëveshje të ratifikuar dhe që Kosova të ketë një mundësi të re dhe të madhe kur bëhet fjalë për integrimin evropian”, deklaroi Markoviq.
Haradinaj, në lidhje me çështjen e demarkacionit, nga ana e tij tha se ekziston një vullnet i mirë që të gjindet një dalje nga kjo gjendje, duke shprehur shpresë se zgjidhja do të gjindet.
“Vizita e kryeministrit Markoviq dëshmon që populli i Malit të Zi dhe ai i Kosovës janë jo vetëm fqinj, por popuj që duan njëri tjetrin dhe të ardhmen e përbashkët euroatlantike. Jam thellë i bindur që do të jenë marrëdhënie shembull për të gjithë në regjion”, ka thënë Haradinaj pas takimit me Markoviqin.
Në anën tjetër, Markoviq ka shtuar se Mali i Zi do të përkrahë Kosovën në rrugën drejt BE dhe NATO-s dhe ka kërkuar respektim të të gjitha të drejtave për minoritetin malazez në Kosovë.
Ai bëri të ditur se në takimin e tij me homologun kosovar kanë disktuar çështjet për të përmirësuar bashkëpunimin ekonomik. Ai theksoi se cilësia e infrastrukturës që lidh dy vendet është e pakënaqshme dhe se qeveritë e dy vendeve janë të gatshme për t’u angazhuar në zhvillimin e kësaj fushe.