Vetëvendosje fiton bindshëm zgjedhjet në Kosovë

KURTI: U VËRTETUA SE ZGJEDHJET E SOTME ISHIN REFERENDUM I CILI U FITUA

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me Vjosa Osmanin kanë folur për mediat pas fitores së zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kurti tha se kjo është një ditë e jashtëzakonshme për të ardhmen e shtetit të Kosovës.

“Kjo është një ditë e jashtëzakonshme për të mirë për Republikën e Kosovës dhe për vitet e ardhshme që vijnë”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, u vërtetua se këto zgjedhje ishin një referendum i pastër si përgjigje për vendosjen e drejtësisë dhe kundër fenomenit të kapjes së shtetit.

“U vërtetua se zgjedhjet ishin referendum. Kanë qëndruar me orë të tërë në acar për të votuar. Ky referendum për drejtësi dhe kundër kapjes së shteti u fitua, është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, theksoi ai.

Në krah të Vjosa Osmanit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se fitorja e arritur këtë të diel nuk është pronë e tij, por ajo u përket padallim të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Nesër fillon një ditë e re. Na presim shumë angazhime dhe shumë punë. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë drejtësi pa hakmarrja. Kjo fitore nuk është as për mua dhe as për Vetëvendosjen, por është për ju”, tha Kurti. 

Teksa iu përgjigj interesit të medias dhe gazetarëve, z. Kurti la të kuptohet se posti i presidentit do t’i besohet Vjosa Osmanit. 

 “Ne e kemi bërë koalicionin me presidenten Vjosa Osmanin dhe kjo ka ndodhur para zgjedhjeve. Ne nuk kemi interes për ata që duan të reformohen në opozitë”, tha ai.

PDK pranon humbjen, Enver Hoxhaj uron VV-në: Nuk do të jemi pjesë e qeverisë

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e arritur.

Ai tha se PDK-ja nuk do jetë pjesë e qeverisë, dhe për këtë kërkoi nga Vetëvendosja të punojë për të forcuar më tej institucionet e vendit.

“Rezultati i sotëm e vë VV-në në pozitën e parë, ndërsa  PDK në pozitën e dytë. Unë dua ta uroj Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin e arritur dhe dua t’i ftoj që të punojnë që të forcojnë shtetin dhe institucionet e Kosovës.PDK-ja nuk do jetë pjesë e qeverisë, meqë ne kemi dallim të madh në orientimet tona politike, dhe jemi shumë larg njëra tjetrës dhe nuk bëjmë kompromis mbi vlerat që është ndërtuar dhe mbi të cilat qëndron PDK. Kosova ka nevojë për stabilitet, dhe ne zotohemi si PDK që të jemi faktor i stabilitetit nga pozita e partisë kryesore në opozitë”, tha Hoxhaj. 

Avdullah Hoti merr përgjegjësinë e humbjes: LDK do të jetë në opozitë

 

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka pranuar humbjen e zgjedhjeve në një dalje të shkurtër për mediat. Ai i konsideroi zgjedhjet proces të rregullt dhe në përputhje me standardet evropiane.

Nga ana tjetër, Hoti tha se priste rezultat tjetër në zgjedhje ndërsa mori përgjegjësinë e humbjes.

“Unë ju falënderoj për besimin e dhënë. Por, rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kam pritur.

Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutoj gjerësisht me organet e LDK-së për këtë përgjegjësi”, tha z. Hoti.

Ai u shpreh se LDK do të jetë në opozitë dhe garantoi se do të kujdeset për kalimin e pushtetit.

“LDK-ja do të jetë opozitë konstruktive në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Qeveria në detyrë do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës”, përfundoi kryeministri në  detyrë.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!