K.Dukaj: Mandatet fitohen dhe humben, por të vepruarit jeton përjetësisht

Në një intervistë për portalin tonë Kristjan Dukaj mes tjerash thotë se, përfaqësuesit tanë politik në prag të zgjedhjeve, lokale apo parlamentare,betohen në bashkëpunim me bashkëvendësit tonë në mërgim vetëm për të siguruar ndonjë votë më shumë.Për statusin e ri të Malësisë ai thotë se, çdo zgjidhje e re, domosdo sjell diçka të re dhe sa mund të jetë ajo e frytshme ose jo, varet nga shumë faktor.

Si e vlerësoni situatën politike në vend, a mendoni se shqiptarët po kalojnë momente të vështira politike?

K.Dukaj; Kur flasim për situatën politike në vend, gjithherë mendojmë për atë që është në interesin e popullatës shqiptare, si pjesëtarë i këtij komuniteti dhe, në anën tjetër, i vetëdijshëm se kjo drejtpërdrejtë, ka të bëjë me atë që janë pritjet nga politikëbërsit, ata që me veprimet ose mosveprimet e veta determinojnë  reagimet e opinionit, respektivisht votuesve. Prandaj, pa u thelluar në atë se “ç’farë do të ishte sikur të ishte”, mendoj se sot, pas një çerekshekulli të sistemit pluralist në këto hapësira, pas atyre vështirësive fillestare në jetësimin e rrethanave të reja të një sistemi të ri, s’do mend se tashmë ka ndryshuar mënyra e veprimit, në radhë të parë të strukturave politike partiake. Të adaptuarit në kushte dhe rrethana të reja; veprimtaria transparente, komunikimi i përditësuar  me elektoratin, bashkëpunimi jo vetëm me  strukturat formale të shoqërisë por edhe me individët e gatshëm të kontribuojnë  me qëllim të harmonizimit të interesave të përgjithshme dhe mundësive reale të veprimit, e bëjnë veprimtarinë politike më pragmatike duke e afruar drejtë sovranit- votuesit. Nëse çdo mendim ndryshe drejtë një qëllimi të caktuar, vlerësohet si diçka kundër ndonjë subjekti apo përfaqësuesi politik, kjo e dëshmon mungesën e gatishmërisë për bashkëveprim dhe besnikërinë ndaj vlerave të tejkaluara të politikëbërjes.

Opinioni juaj rreth integrimit të Malit të Zi në NATO, a mendoni se shqiptaret duhet të kushtëzojnë përkrahjen në këtë proces?

K.Dukaj; Integrimii popujve dhe vendeve të ndryshme në rrjedhat globale, është një proces që s’ka të ndalur. Sidomos, në kohën e sotme kur aspiratat integruese të popujve dhe vendeve më të zhvilluara janë gjithnjë e më të fuqishme, pavarësisht zërave apo ndonjë tentative ndryshe nga forca që nuk peshojnë tepër në vendimmarrje. Shqiptarët, duhet të jenë krenar me përkrahjen nga Aleanca më e gjerë ushtarako-politike e globit, në momentet më të vështira për të formuar shtetin e lirë , Republika e Kosovës, që sot pavarësisht vështirësive aktuale, është duke u kyçur në rrjedhat integruese me përkrahjen e miqve të mëdhenj botëror , siç janë SHBA dhe shumë vende tjera me ndikimin më të fuqishëm në rrjedhat politike botërore. Njëkohësisht, Shqipëria është anëtar i plotfuqishëm i aleancës së NATO-s, që është, po ashtu, arsye shtesë në mbështetje të aspiratave të  çdo vendi ku jetojnë shqiptarët për  anëtarësimin e  tij në Aleancë.

Si e vleresoni statusin e ri, komunë në kuadër të kryeqytetit, a mendoni se kjo lloj vetqeverisje lokale mund të sjell ndonjë rezultat pozitiv?

K.Dukaj; Çdo zgjidhje e re, domosdo sjell diçka të re! Sa mund të jetë ajo e frytshme ose jo, varet nga shumë faktor. Derisa të mos përjetohet diçka në praktik  është më e vështirë, apriori, të vlerësohet objektivisht efekti që do të pasojë. Ajo që zhgënjen, është fakti se madje as çështja e komunës, nuk ka unifikuar spektrin politik shqiptar në bashkërendim të hapave të veprimit. Ne, as që i dimë detajet e këtij projekti të ri, por nga vetë fakti se jetësimi tij do të fillojë nga viti 2018, vetvetiu flet se ndoshta ndërkohë mund të bëhen intervenime brenda zgjidhjeve të parapara ligjore me këtë  dokument. Por, mos të harrojmë se e gjitha varet nga ata që menaxhojnë zbatimin e projekteve, të çfarëdo natyre qofshin ato. Projekti për Komunën e plotë, është kërkesë e kamotshme e  banorëve të Malësisë. Mungesa e veprimtarisë unike, në radhë të parë,e lidershipit politik nga këto hapësira, ka pasuar gjendjen ekzistuese, e cila nuk kënaq nevojat dhe interesat e popullatës lokale. Aq më parë, pasi që në dokumentet programore të strukturave politike shqiptare, njëra prej pikave kyçe është realizimi i vetëqeverisjes së plotë lokale për banorët në territorin e Malësisë, si njëra nga të drejtat njerëzore, kushtetuese dhe natyrore në përmbushjen e nevojave të popullatës lokale kudo qoftë. Prandaj, duhet shpresuar në qasje më aktive të bartësve të jetës politike në realizimin e nevojave jetike për gjithë qytetarët në këto hapësira.

 Si e vlerësoni përkrahjen e deputetëve shqiptar ndaj qeverisë, a prisni ndonjë rezultat pozitiv nga kjo, apo mendoni se nuk do të ndryshojë asnjë gjë?

Dukaj; Deputetët, qofshin ata nga subjektet nacionale apo të profileve tjera, janë pjesëtarë të pushtetit ligjdhënës me votat e fituara nga elektorati. Prandaj, unë e vlerësoj këtë fakt si realitet dhe si diçka që një deputeti i mundëson të veproj dhe në momente të caktuara të marr qëndrimin e duhur. Sa mund të materializohet i njëjti qëndrim në të mirë të votuesve, në të mirë të qytetarëve, kjo është tjetër çështje. Nuk jam nga ata që një qëndrim të ndonjë përfaqësuesi, qoftë edhe deputet, duhet dënuar dhe sulmuar si diçka të papranueshme, politikisht  të dëmshme, e kështu me radhë. Aq më parë pasi që strukturat brendapartiake,  mbështesin qëndrimet dhe aktivitetin e përfaqësuesve  të vet, jo vetëm në Parlament,por kudo qofshin ata.  Do të doja që përfaqësuesit shqiptar të jenë sa më aktiv, më të vendosur dhe me pjekuri politike ta dëshmojnë aftësinë e organizimit dhe përfaqësimit  politik, pavarësisht  përkatësinë partiake. Do të dëshiroja, që eksponentët partiak të jenë më afër elektoratit;  të dëgjojnë nevojat dhe ankesat e tyre të përditshme; të shfrytëzojnë hapësirën në media përmes konferencave për shtyp duke paraqitur qëndrimet e veta për çështje të ndryshme, duke komunikuar drejtëpërdrejtë me njerëzit e medias, e kështu me radhë.

Sipas vlerësimit tuaj, cili duhet të jetë orientimi i partive shqiptare, të jenë pjesë e çdo qeverie, të jenë opozitë apo në mes pozitës dhe opozitës. Nga cili pozicion mund të arrihen më së miri objektivat politike.

K.Dukaj; Të jemi objektiv! Brezi im kemi lindur më vonë se çka filluar vetorganizimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi, në parti nacionale. Por, me gjithë atë, njeriu si qenie politike, i përcjell rrjedhat në kohëra dhe periudha të ndryshme historike dhe politike, duke filluar nga literatura mësimore, disa nga vetëinteresimi, por disa të tjera nga rrethana të ndryshme; familjare, nga ambienti ku jeton, mediat, e kështu me radhë. S’ka nevojë të diskutohet orientimi i partive nacionale shqiptare, pasi që ato me dokumentët e veta programore kanë orientimin e duhur dhe përafërsisht, të njëjtë, mos të themi identik. Prandaj, logjikisht rrjedh pyetja: Pse mungesa e veprimtarisë unike në realizimin e orientimeve të parapara programore? Aq më parë, pasi që subjekte të shumta partiake, në Mal të Zi dhe në vendet përreth, veprojnë bashkërisht edhe pse me qëndrime dhe orientime programore, diametralisht të kundërta. Por, çështje dhe interesa të caktuara, unifikojnë veprimtarinë e tyre. Derisa, elektorati i këtushëm, është gjithnjë në pritje të veprimtarisë së përbashkët, subjektet nacionale shqiptare që veprojnë në këto hapësira, vazhdojnë gjithnjë avazin e vjetër të akuzave dhe mospërfilljen e ndërsjellë, mosrespektimin e marrëveshjeve të arritura parazgjedhore, inicimin e proceseve të ndryshme e kështu me radhë. Si mund të shpjegohet nevoja e negociatave disamuajshe për të arritur ndonjë marrëveshje të koalicionit parazgjedhor? Sa respektohen ato më vonë, atë e din opinioni i gjerë, jo vetëm shqiptar! Qëndrimin e subjekteve partiake nacionale nga këto hapësira, e dëshmon më së miri veprimtaria e tyre në raport më mërgatën tonë, me ata që me aq përkushtim veprojnë në të mirën e vendlindjes. Ata, janë shembulli më i mirë për përfaqësuesit tanë si duhet vepruar në interes të banorëve të Malësisë. Sot, kur vendet e rajonit kanë ministri përkatëse për bashkëpunim me mërgimtarët, kur me legjislaturën zgjedhore atyre u mundësohet e drejta për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur, përfaqësuesit tanë betohen në bashkëpunim me bashkëvendësit tanë në mërgim, vetëm për të siguruar ndonjë votë më shumë, në prag të zgjedhjeve, lokale apo parlamentare. Nevojat e përditshme të banorëve janë gjithnjë e më të mëdha, prandaj edhe pritjet e tyre nga politikëbërsit janë të njëjta. Veprimtaria e mirëfilltë në këtë drejtim nënkupton të identifikuarit me nevojat dhe kërkesat e banorëve, si rruga më e sigurt drejtë daljes ballëhapur para elektoratit. Mandatet fitohen dhe humben; shfrytëzohen dhe kalojnë, por fryma e të vepruarit vazhdon përjetësisht.

(Kristijan Dukaj student në “University of Donja Gorica” në Podgoricë, drejtimi “marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci”.Në fillim të vitit të I-rë,Kristijani bën përkthimin e librit “Almanak i mësimit” në gjuhën shqipe, të prof.dr Veselin Vukotiq, i cili është edhe rektori i këtij Universiteti. Ai edhe gjatë studimeve është shumë aktivë në gazetari.)

Shperndaje