Maqedoni: Zyrtarizohet gjuha shqipe, Gruevski sulmon kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferrin

Me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë votoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të tretë, pa debat.

Ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, e pengoi edhe fizikisht kryetarin e parlamentit, Talat Xhaferi, që të drejtojë seancën, e cila megjithatë vazhdoi dhe miratoi ligjin, ndërsa një grup qytetarësh ishte mbledhur para ndërtesës së parlamentit për të kundërshtuar miratimin e ligjit.

VMRO DPMNE, në opozitë tha se ligji është në kundërshtim me kushtetutën e Maqedonisë dhe cenin karakterin unitar të saj. Kjo parti kishte paraqitur mbi 30 mijë amendamente për plotësim-ndryshimin e ligjit, të cilat nuk u morën parasysh, ndërsa partitë politike shqiptare thanë se ajo ishte përpjekje për bllokimin e plotë të tij.,

Parlamenti i Maqedonisë e kishte miratuar këtë ligj që në muajin janar me 69 vota, por ai nuk u dekretua nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe kjo bëri që ligji për herë të tretë të dërgohet në parlament.

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, shihet si një përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur në vitin 2001 duke i dhënë fund një konflikti të armatosur ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve shqiptarë që kërkonin më shumë të drejta në Maqedoni.

Me ligjin për përdorimin e gjuhëve, siç bëjnë të ditur nga Ministria e Drejtësisë, parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror të Maqedonisë, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!