Mali i Zi nesër zgjedhë presidentin

Nesër 532.399 qytetarë të Malit të Zi me të drejtë vote zgjedhin presidentin e ri.

Kjo është hera e tretë që Mali i Zi zgjedhë presidentin që nga pavarësimi në vitin 2006 dhe janë zgjedhjet e shtata presidenciale me radhë, që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi në vitin 1990.

 Mandatin 5-vjeçar të presidentit, qytetarët do t’ia besojnë njërit prej shtatë kandidatëve që janë futur në garën presidenciale: kryetari i partisë “Mali i Zi i vërtetë”, Marko Millaçiq, kandidati i një pjesë të madhe të opozitës – Mlladen Bojaniq, kryetari i Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit, Hazbija Kallaq, kandidati i Partisë Pensionistëve, Vasillije Milliçkoviç, ai i Koalicioni serb, Dobrillo Dedeiq, kandidati i Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviq dhe kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq i cili është i shtati në fletën e votimit.

Sipas Kodit zgjedhor të Malit të Zi, kreu i shtetit zgjedhet me më shumë se gjysmën votave të vlefshme në raundin e parë. Në rast se asnjëri prej kandidatëve nuk merr shumicën e nevojshme, zgjedhjet përsëriten pas dy javësh, ku marrin pjesë dy kandidatët që kanë marrë numrin më të madh të votave, dhe president zgjedhet ai që arrin të marrë më shumë vota.

President të Malit të Zi deri më sot ishin Momir Bullatoviq, Millo Gjukanoviq dhe presidenti në largim, Filip Vujanoviq.

Kandidati që konsiderohet favorit në zgjedhjet e neserme presidenciale është Millo Gjukanoviq.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!