Zenka: Ftesa e Haradinaj është përkrahje për shqiptarët – Vota për Gjukanoviq, votë për zgjidhjen e Demarkacionit

Ministri në qeverinë e Malit të Zi, Mehmet Zenka, ka falënderuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për thirrjen që u ka bërë shqiptarëve në këtë shtet, për ta mbështetur me votën e nesërme kandidaturën e Milo Gjukanoviqit për president.

Në një intervistë për Radio Dukagjini, ministri Zenka ka vlerësuar sugjerimin e Haradinajt duke thënë se forcat properëndimore në Mal të Zi çmojnë këtë mbështetje të Kosovës zyrtare.

“Ftesa e kryeministri Haradinaj që shqiptarët e Malit të Zi të votojnë për kandidaturën e Milo Gjukanoviq për president të Malit të Zi, është përkrahje për shqiptarët dhe të drejtat e tyre në Mal të Zi. Është një sugjerim tejet pozitiv që duhet ta dëgjojnë shqiptarët e Malit të Zi. Në fund të fundit është edhe një vlerësim i Kosovës, Prishtinës zyrtare për Milo Gjukanoviqin i cili iu gjend pranë Kosovës në vitet më të rënda të luftës por edhe në pranimin e shtetësisë”, ka thënë Zenka.

Kryetari i UDSH-sëi, ka përmendur më tej rëndësinë që ka për shqiptarët fitorja e mundshme e nesërme e Gjukanoviqit.

“Përkrahja e Gjukanoviqit është përkrahje për NATO. Fitorja e Gjukanoviqit do të jetë edhe një hap më larg politikës ruse. Mos harroni në Mal të Zi kemi situatë me dy fronte. Nuk ka mes, thjesht. Është krahu serb dhe është krahu pro perëndimor malazez i cili përkrahet edhe nga shqiptarët”, thotë ministri Zenka.

Ministri shqiptar i Qeverisë malazeze Mehmet Zenka garanton Kosovën se me fitoren e Gjukanoviqit për president, Mali i Zi do të mbajë fjalët ndaj Kosovës sa i përket çështjes së demarkacionit, duke respektuar Marrëveshjen Bulliqi dhe firmat e dy presidentëve.

“Ju garantoj që vota për Millon është edhe një votë për zgjidhjen e çështjes së Demarkacionit sipas zhvillimeve të fundit që ka pasur Kosova. Mali i Zi edhe deri më tash e keni parë se nuk është përzier por më shumë ia ka lënë Kosovës që çështja të zgjidhet brenda për brenda dialogut. Po të fitonte krahu serb çështja e demarkacionit do ishte seriozisht problem edhe për Kosovën edhe për Malin e Zi”, përfundon Zenka.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!