Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka telefonuar nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegun duke u interesuar për situatën në komunën e Tuzit dhe shqiptarët në Mal të Zi gjatë pandemisë së koronavirusit.
Postimi i Genci Nimanbegut:
Faleminderit kolegut Kadri Veseli i cili shprehi interesim mbi gjendjen qe kemi ketu ne Mal te Zi. Biseduam si miq dhe e informova mbi gjendjen posacerisht te Tuzit, qe jan te karantinuar por edhe mbi Ulqin dhe situaten e pergjithshme ne zona pa te infektuar.
I falenderova per respekt dhe kënaqësi qe na eshte kujtuar edhe ne keto momente.
Tungjatjeta Kadri Veseli!
Postimi i Kadri Veselit:

Sot zhvillova disa biseda telefonike me kolegë liderë shqiptarë që janë bartës institucionesh në Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, për t’u interesuar lidhur me gjendjen e bashkëkombasve tanë në kushtet e pandemisë së koronavirusit. Bisedova me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Metën i cili më tregoi për masat e rrepta që janë marrë dhe efektin e tyre.
Në bisedën që bëra me zv.Kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, u njoftova edhe për gjendjen e shqiptarëve atje dhe pakon gjithpërfshirëse ekonomike që ata kanë miratuar për të shpëtuar ekonominë nga pasojat e kësaj situate emergjente. Bisedova edhe me Genci Nimanbegun që është nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi prej të cilit mësova se gjendja në këtë shtet është duke u menaxhuar relativisht mirë dhe se shqetësimi kryesor i shqiptarëve të atjeshëm është rrezikimi i sezonit të ardhshëm turistik prej pandemisë.
Së fundmi fola edhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafën si dhe me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin. Gjendja në Luginën e Preshevës është veçanërisht e rëndë dhe bashkombasit tanë atje janë të lënë tërësisht anash prej autoriteteve qendrore të Beogradit. Ajo që e bën akoma më dramatike gjendjen e tyre është fakti që dhjetëra mijëra shqiptarë atje, shërbimet shëndetësore mund t’i marrin vetëm nga një spital, ai i Vranjës, i cili është tashmë i tejngarkuar. Lugina e Preshevës ka nevojë sot, më shumë se kurrë për solidaritetin tonë dhe për ndihmën e shteti të Kosovës.