UEFA gjobit Rusinë, paralajmëron përjashtim nga EURO 2016

Federata e Futbollit e Rusisë është gjobitur me 150.000 euro për shkak të dhunës së tifozëve në Kampionatin Evropian të Futbollit Euro 2016, në Francë.

Federata Evropiane e Futbollit – UEFA ka paralajmëruar po ashtu se Rusia mund të përjashtohet nga turneu në rast të dhunës së mëtutjeshme.

UEFA ka thënë se skualifikimi do të hyjë në fuqi nëse “incidente të natyrës së ngjashme ndodhin brenda stadiumit” në ndonjërën nga ndeshjet e mbetura të Rusisë.

Tifozët rusë janë përleshur me tifozët anglezë përpara ndeshjes së dy vendeve më 11 qershor në Marsejë ku së paku 35 veta, shumica britanikë, janë plagosur në përleshje.

Zyrtarët francezë kanë thënë se rreth 150 rusë, të përfshirë në përleshje, “kanë qenë jashtëzakonisht mirë të trajnuar” dhe “të përgatitur për veprime ultra të dhunshme”.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!