Dukaj: Dixhitalizimi në Mal të Zi duhet përmirësuar sa më shpejt të jetë e mundur

Ulja e numrit të punonjësve në administratën shtetërore nuk dha rezultate të dukshme, dhe nuk kishte as regjistër të zyrtarëve që janë financuar nga paratë e qytetarëve.

Kështu në një intervistë për “Vijesti” deklaroi ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.

Sipas tij, në fund të muajit janar, në administratë, si në nivel lokal ashtu edhe në atë shtetëror, të punësuar ishin mbi 50 mijë punonjës.

Dukaj thotë se qasja e lirë në informacion është instrument i domosdoshëm për ushtrimin e kontrollit mbi punën e organeve qeveritare dhe kusht për gëzimin cilësor dhe efikas të të drejtave dhe lirive të tjera të njeriut dhe premton se së shpejti do t’i propozojë Qeverisë përcaktimin e një projektligji që do ta rregullonte më mirë këtë fushë.

Ministri vlerësoi gjithashtu se Mali i Zi në të kaluarën nuk ka investuar në dixhitalizim, dhe se sfida më e madhe është infrastruktura e zhvilluar pamjaftueshëm, korniza normative që nuk promovon plotësisht përdorimin e nënshkrimeve dixhitale, printimin elektronik dhe zvogëlimin e përdorimit të letrës, por edhe mungesa e standardeve unike dixhitale në nivel të Malit të Zi për zhvillimin e shërbimeve elektronike.

Dixhitalizimi në Mal të Zi është një fushë që duhet përmirësuar sa më shpejt të jetë e mundur. Arritjet e vendeve të përparuara, përfshirë vendet fqinje, janë shumë më përpara se Mali i Zi. Për momentin, administrata publike nuk është një shërbim i përshtatshëm për qytetarët dhe ekonominë, ndaj ka vend për aspirata ambicioze që do të angazhohemi t’i realizojmë.

Kjo Qeveri e 43-të, në pjesën e mbetur të mandatit të saj, do të bëjë përpjekje për të përmirësuar dixhitalizimin e administratës publike, që paraqetë një pjesë të rëndësishme të procesit të reformës së administratës publike dhe një nga tre kushtet kyçe në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Mali i Zi nuk mund të jetë konkurrues në shekullin e 21, në asnjë nivel, nëse nuk ka procese dhe shërbime të dixhitalizuara, të cilat qytetarët dhe biznesmenët do të dinë t’i përdorin me sukses, tha Dukaj.

Shperndaje