Shpend Ahmeti e Erion Veliaj krijojnë Unionin e bashkive shqiptare, pjesë e unionit edhe Komuna e Ulqinit

Komunën e Prishtinës e vizitoi te marten një delegacion i Bashkisë së Tiranës, i udhëhequr nga Kryebashkiaku Erion Veliaj. Ata u pritën nga Kryetari Shpend Ahmeti, dhe përfaqësues të tjerë të kësaj Komunës së Prishtinës. Në këtë takim të parë të kësaj vizite dyditore, u diskutuan për projekte të përbashkëta si dhe u shkëmbyen përvoja nga të dy qytetet, meqë edhe problemet janë të ngjashme.

Ahmeti dhe Veliaj diskutuan edhe për konkretizimin e unionit të bashkive/komunave kryesore shqiptare në rajon. Ata u dakorduan që në fundjavën para Ditës së Pavarësisë, në datat 26 dhe 27 nëntor, të takohen në Tiranë me kryetarët e komunave si Tetova, Presheva e Ulqini, ku do të diskutojnë për tema konkrete që prekin direkt mënyrën e jetesës së qytetarëve nëpër këto komuna, mësohet nga Komuna e Prishtinës.

Delegacioni nga Bashkia e Tiranës do të qëndrojë për dy ditë në Prishtinë, ku do të merr pjesë nëpër aktivitete të ndryshme të kësaj komune, si dhe do të zhvillojë takime me drejtori të caktuara për të forcuar edhe më tepër bashkëpunimin në fusha konkrete.

Shperndaje