Pacolli vizit zyrtare në Shqipëri: Në nëntor mbledhje e përbashkët qeveritare Shqipëri-Kosovë

Pacolli vizitën e parë si ministër i Jashtëm e bën në Shqipëri

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka vizituar sot Shqipërinë, ku është takuar me drejtues të lartë të vendit, si Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama në një postim në Twitter ka shkruar se “Pas një takimi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës u dakorduam për mbledhjen e dy qeverive, në Korçë më 27 nëntor dhe 28 (nëntor) në Vlorë për flamurin.”

Ndërsa Bushati dhe Pacolli pas takimit mes tyre kanë dhënë një deklaratë të përbashkët për mediat, ku kanë fokusuar forcimin e bashkëpunimit, misionet e përbashkëta diplomatike, etj.

Kryediplomati i Shqipërisë theksoi se me homologun e Kosovës kanë diskutuar për programet e dy qeverive.

Pacolli u shpreh se ka marrë mbështetjen e Shqipërisë për qasje të përbashkët për sfidat që kanë dy vendet.

Ministri i Jashtëm i Kosovës theksoi ndër të tjera se gjatë takimit është biseduar që sa më shpejt të vazhdojë tradita e misioneve diplomatike të përbashkëta. “Sigurisht do të kemi përfaqësi të përbashkëta edhe në Danimarkë, Hamburg, por folëm edhe për Turqinë në të ardhmen. Do të kemi bashkëpunim shumë efikas dhe dinamik dhe do të riaktivizojmë takimet tona qeveritare”, theksoi Pacolli.

Ndërkohë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës është takuar sot edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!