Deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë hedhur sërish gaz lotsjellës në seancën që ishte parashikuar të mbahej për diskutime mbi buxhetin e vitit 2016, e për pasojë kryeparlamentari Kadri Veseli ka ndërprerë punimet si dhe ka thirrur një takim të Kryesisë.
Nga raportimet e deritanishme, ka qenë pikërisht deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ai që ka hedhur këtë herë gazin lotsjellës në Kuvend si dhe deputeti i AAK-së e ish-kryetar i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj.Pavarësisht se të gjithë deputetët u kontrolluan imtësisht përpara hyrjes në seancën plenare. Madje, deputeti i VV-së Besnik Bislimi nuk është lejuar të futej në Kuvend, edhe pse nuk i kanë dhënë arsyen se përse nuk lejohej.
Në punimet e Kuvendit ka qenë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli, i cili gjithsesi ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak. Duke hyrë në sallën e Kuvendit, ai tha se arrestimi i tij është politik dhe se po merrte pjesë në seancë për shkak se e ka detyrim kushtetues.
“Nuk kam ndonjë vendim gjykate, që ma ndalon ardhjen në Kuvend. Jam i gatshëm edhe nëse më arrestojnë”, tha Topalli.
Në Kuvend ndodhej gjithashtu edhe deputeti tjetër Fisnik Ismajli, i cili kishte njoftuar në Facebook se kishte shkuar në Kuvend për të paraqitur zërin e mijëra votuesve që përfaqëson. Nuk dihet nëse gjykata ia ka hequr atij masën e “arrestit shtëpiak”, apo ai ka hyrë në Kuvend pavarësisht asaj.
Pas hedhjes së gazit lotsjellës, deputeti i AAK-së Pal Lekaj deklaroi në mjediset e Kuvendit se kanë mjaftueshëm gaz lotsjellës për të ndërprerë çdo seancë dhe se do të vazhdojnë me të njëjtat veprime.
Ambientet e Kuvendit janë bllokuar sërish nga policë civilë, të cilët po sigurojnë rrugën që të çon te salla alternative e seancave plenare.Top Channel