Pas Man Und dhe Man City në garë për Hysaj edhe Interi ofron 40 milion

Elseid Hysaj nuk pritet të mbetet edhe shumë gjatë në Napoli, pas Mançester Junajted dhe Man City, në garën për mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare është shtuar edhe Inter.

Mbrojtësi i djathtë i Kombëtares së Shqipërisë, po shkëlqen me Napolin në dy vitet e fundit në Serie A.

Vetëm disa javë më parë ka vazhduar kontratën e tij deri në vitin 2020, mirëpo e ardhmja e tij nuk pritet të jetë në Napoli.

Mediat italiane kanë shkruar se shqiptari është bërë objektivi madhor i Interit për afatin kalimtar të janarit.

Inter është e gatshme të ofrojë një shumë të çmendur prej 40 milionë eurove për shqiptarin si dhe njërin nga futbollistët, Davide Santon ose Danilo D’Ambrosio.

Edhe pse Napoli e vlerëson shumë mbrojtësin e djathtë, duket se oferta e Interit është e parefuzueshme.

Kujtojmë që Interi është skuadra e ëndrrave për Hysajn, i cili në intervistat e mëhershme kishte treguar se ka bërë tifo gjithmonë për ‘Neroazzurrët’, ndërsa idhulli i tij është legjenda argjentinase e Interit, Javier Zanetti.

 

Shperndaje