Kristjan Dukaj,
politikolog
Bota e sidomos vendet perëndimore kanë kaluar nëpër faza të ndryshme të qeverisjes, duke filluar nga aristokracia, monarkia e deri tek demokracia e shekullit të 21. Me kalimin e viteve dhe me pëlqimin e madh që i është dhënë, demokracinë e kanë pranuar pothuajse të gjitha shtetet e botës, në njërën apo mënyrën tjetër të funksionimit, por për fat të keq ajo nuk i ka zgjedhur të gjitha problemet, madje në shumë raste i ka zmadhuar ato.
Demokracia do të thotë pushteti në duart e popullit, nga ata dhe për ta, por në shumë raste kjo ekziston vetëm në letër si teori. Në Indi sot jetojnë mbi 900 milion njerëz. Si mund ta kenë të gjithë ata pushtetin? Ata duhet që pushtetin ta dorëzojnë tek një person. Në atë rast, i bie që nuk sundon populli por ata që kanë vendosur për udhëheqës. Mirëpo, pyetja kryesore është, cilat janë arsyet e zgjedhjes së një pushtetari? Si ta zgjidhet? A jemi të aftë të zgjedhim dikën për të na udhëhequr ? A jemi të shkolluar për një pushtet demokratik?
Jo, asgjë nga kjo nuk është dëshmuar. Masa mund të kontrollohet shumë lehtë, madje edhe me gjëra shumë të pavlera. Një shembull tipik i kësaj është që psikologët e kanë dëshmuar në shekullin e kaluar, kur kandidati për president në SHBA, Nikson ka humbur nga Kenedi, vetëm se ai dukej shumë më mirë në paraqitjet televizive. Por, edhe vet Niksoni mësoji shumë nga kjo, sepse në zgjedhjet tjera presidenciale, ai kishte ndryshuar mënyrën e të folurit, si të qëndrojë, si të eci dhe si të vishej. Disa psikologë thonë që edhe ngjyra e rrobave ka ndikim tek populli që ju shikon nëpërmjet televizionit. Dikush nga ne mund të mbajë fjalime të mira, por kjo nuk do të thotë që do të jetë president i mirë. Kjo i bie që nëse dikush përpunon rroba të mira, kjo do e bëjë president të mirë?
Shembulli më i mirë i gjithë kësaj është kur, ish presidenti historik i SHBA, Abraham Linkoln u shpall si president dhe gjatë fjalimit të tij të parë para senatit, senatorët kanë qenë shumë të zhgënjyer dhe të lënduar, sepse babai i tij ka qenë këpucëtar, ndërsa djali i tij (Abraham Linkoln), arriti të fitojë aristokratët e mëdhenj të asaj kohe. Për ta skuqur dhe nënçmuar presidentin e atëhershëm, njëri nga senatorët u ngrit në këmbë dhe ju drejtua: a më njeh? Ti ke ardhur tek shtëpia ime shpesh, sepse babai yt bënte këpucët për familjen time, ndërsa ti i ke ndihmuar ! E gjithë senati shpërtheu në gaz! Kështu tentuan të nënvlerësojnë presidentin e sapo zgjedhur, por njerëzit siç ka qenë presidenti Linkoln, nuk mund ti nënvlerësoni.
Ai e shikoi senatorin dhe ju drejtua: „ Unë u jam shumë falënderues që më kujtuat tim atë në këtë moment të rëndësishëm. Babai im ka qenë këpucëtari më i mirë i këtij shteti, ndërsa unë e di që kurrë nuk do jem aq president i mirë siç ka qenë babai im këpucëtar! Ai është ende shumë para meje!“
Në mbarë botën, e sidomos tek ne, mendoj që është koha për një sistem i cili do të ketë baza në vlera! Kemi me mijëra universitete në mbarë botën, atëherë pse disa njerëz të thjesht të zgjedhin se kush do të jetë president apo lider i një qeverie dhe në këtë mënyre ata automatikisht i japin një fuqi të madhe, me të cilën ai mund të shkatërrojë popullin e vet, por edhe më gjerë!
Meritokracija do të thotë që vetëm ata që janë të shkolluar për lëmi të caktuar, mund të votojnë për njerëz në atë lëmi !
Kjo bie, që punonjësit e arsimit duhet të zgjedhin ministrin e arsimit. Në këtë mënyrë do të kemi ministrin më të mirë të mundshëm. Ministri i ekonomisë duhet të zgjidhet nga ata që kuptojnë dhe angazhohen në fushën e ekonomisë, e të tillë ka me mijëra. Për secilin vend duhet angazhuar të zgjidhet individi i duhur, por vetëm nga ana e specialistëve që njohin fushën e caktuar. Ministrin e shëndetësisë duhet ta zgjedhin ata që punojnë në mjekësi dhe të cilët merren me hulumtimet shkencore në këtë fushë, sepse vetëm ata e dinë më së miri se çfarë duhet ndryshuar dhe përmirësuar. Në këtë mënyrë në krye të një shteti do kemi njerëzit më me vlerë të cilët do përkushtohen në punën e vetë dhe të cilët janë njohës të shkëlqyer të asaj që punojnë.
Këtë sistem do e quanim meritokraci. Ndërsa, në fund kur të bëhet përzgjedhja e të gjithë këtyre njerëzve, ata së bashku mund të zgjedhin udhëheqësin e një shteti, kryeministrin apo presidentin.
Por, edhe këtu duhet të kemi një limit, vetëm njerëzit të cilët kanë shkollim të lartë universitar do duhej të posedonin të drejtë vote, sepse nëse keni 18 vjet, kjo nuk do të thotë që ju dini shumë gjëra për jetën, politikën dhe për zgjedhjen e duhur të një pushtetari. . Njerëzit e shkolluar do duhej të zgjidhnin deputetët, sepse në këtë mënyrë do kishim një qeveri të shkolluar, kulturuar dhe emancipuar.
Meritokracija do duhej të futej sa më parë në përdorim, sepse nëse një herë populli shijon frytin e këtij sistemi, ata do jetojnë më mirë dhe politikan nuk do të jetë secili që ka dëshirë të merret me politikë, por do jetë ai ose ajo që posedon njohuri të caktuar dhe nivel të domosdoshëm shkollimi. Qëllimi i meritokracisë nuk është që populli vetëm të votojë, qëllimi është që populli të jetë i kënaqur me qeverisjen dhe të ketë një të ardhme sa më të mirë !