Vijesti: Financuesi kryesor i UÇK-së po ndërton hidrocentrale në Plavë

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, biznesmeni Florin Krasniqi, ia ka mësyrë të ndërtojë hidrocentrale në Gjuriq në komunën e Plavës, shkruan “Vijesti”.

Krasniqi, të cilin gazeta e prezanton si një nga themeluesit dhe financuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është pronar i Kompanisë “Plava Hydro Power” nga Ulqini, e cila ka dorëzuar elaboratet për ndërtimin e dy hidrocentraleve të vogla në Gjuriq.

Selia e kompanisë “Plava Hydro Power” është në hotelin “Kulla e Balshajve” në Ulqin. Një për qind është në pronësi të firmës “Gradnja” nga Bijello Polje ndërsa 99 për qind i posedon firma e Krasniqit “Triangle General Contractors – INC” nga Deçani.

Kjo firmë e Krasniqit është bashkëpronare me një për qind edhe e kompanisë “Hydro Bistrica”, e cila gjithashtu merret me ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në veri të Malit të Zi. Pronar dominues i kësaj firme është kompania Synergy, në të cilën përmes firmës së vet KIA Montenegro ka pjesë edhe Vuk Rajkoviqi, kumbara dhe partneri i kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviq, në kompaninë Global Montenegro.

Banorët rreth përroit Gjuriq, në Plavë – të Gjuriqit, Jasenicës dhe Hotit, kundërshtojnë ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, ndërsa peticionin e tyre e kanë nënshkruar 651 veta. Ata vjet nga Kuvendi i Komunës së Plavës kërkuan që të mos votojë për studim lokal për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve të vogla, ngase mendojnë se ato do ta rrezikojnë rrjedhën nga e cila furnizohen me ujë të pijshëm.

Por, Kuvendi komunal i Plavës me shumicë votash të këshilltarve të SDP,Partis Boshnjake , SNP dhe DF miratoi vendimin me të cilin mundësohet procedura për marrjen e lejes, pas çka kundërshtarët e ndërtimit formuan këshill nismëtar me në krye këshilltarin e ASH Iber Hotin.

Agjencia për Mbrojtjen e Ambientit javën e kaluar njoftoi se “Plava Hydro Power” nga Ulqini ka dorëzuar elaboratin për vlerësimin e ndikimit të ndërtimit të hidrocentraleve mbi përroin në fjalë. Pajtueshmëria për elaboratin është dokumenti i fundit i nevojshëm para marrjes së lejes së ndërtimit.

Shperndaje