Gjonlleshaj: Besimtarët të liruar nga pjesëmarrjet në Meshët

Porosia dhe udhëzimet e Argjipeshkvit të Tivarit dhe Administratorit të Kotorrit Imzot Rrok Gjonlleshaj

Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin!

Përballë sprovës dhe pasigurisë së madhe që vjen nga shpërthimi i pandemisë së re COVID-19, ju drejtohem si bari shpirtëror, i drejtuar nga të njëjtat shqetësime dhe çështje që i ka kapur njerëzit në të gjithë botën këto ditë. Para së gjithash, unë bëj thirrje që, si besimtarë, ne me dëshirë dhe pa hezitim të japim kontributin tonë në luftën kundër kësaj situate çuditërisht të paqartë dhe të rrezikshme. Veçanërisht është e rëndësishme të mos i dorëzohemi dëshpërimit, frikës dhe panikut, por ta kthejmë shikimin tonë drejtuar Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit, i cili “i mori mbi vete vuajtjet tona,mbi shpatulla të veta i ngarkoi dhimbjet tona! E ne ishim te bindur se ishte i ndeshkuar, i munduar prej Hyjit e i nençmuar” (Iz 53,4) dhe Nënës sonë Zojës së bekuar, të cilën ne e quajmë si Shëndeti i të sëmurëve dhe Ndihma e të krishterve.

Sidomos në këtë kohë të Kreshmëve, me sprovën e re që ka lindur në mesin tonë, ju kërkoj të lutemi edhe më me zell dhe me këmbëngulje për kalimin e pandemisë sa më shpejt, për shërimin e të sëmurëve dhe të infektuarve, për forcën e punonjësve shëndetësorë dhe për mençurinë e atyre që janë përgjegjës në udhëheqjen civile dhe shtetërore. Në shoqërinë në të cilën jetojmë, feja jonë na detyron të japim gjithmonë shembull të ndritshëm më jetë dhe vepra dhe të dëshmojmë pagëzimin tonë. Për këtë arsye, në këto momente është detyra jonë të veprojmë në përputhje me rekomandimet e Kishës, por edhe të japim kontributin tonë, duke iu përmbajtur udhëzimeve dhe rekomandimeve përkatëse të autoriteteve civile Të Malit të Zi.

Si argjipeshkëv i kryedioqezës së Tivarit dhe administrator apostolik i dioqezës së Kotorrit jap lajmërimin e mëposhtëm:

Sipas rregulloreve ndërkombëtare të shëndetësisë, të gjitha shtetet kanë detyrimin ligjor që të reagojnë pa vonesa ndaj shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, të rrezikshme për shëndetin publik. Qeveria e Malit të Zi e ka bërë atë në mënyrë që të përcillte dhe të ndërmerrte të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit (COVID -19), Kisha Katolike në Mal të Zi ju bën tthirrje të gjithë juve në një kujdes dhe përgjegjësi më të madhe gjatë kontakteve me personat e tjerë, me qëllim që të mbrojmë veten dhe të tjerët. E kemi për detyrë, që t’i qasemi kësaj situate feplotë në mënyrë të përgjegjëshme dhe të bëjmë gjithë çfarë është brenda mundësive tona që të mos jemi shkaku i përhapjes së këtij infeksioni që ka gjunjëzuar botën mbarë.

Duke respektuar edhe vendimet e ardhshme të Qeverisë së Malit të Zi, të cilat janë në të mirën e shëndetit të të gjithë qytetarëve.

Kisha Katolike në Mal të Zi për të dhënë kontributin e saj ndaj shoqërisë civile dhe shëndetit të njeriut në tërësi, merr këto vendimet që janë të detyrueshme për anëtarët e saj.
Të gjithë anëtarëve të konfesionit katolik ju bëjmë me dije se:

1. Derisa të zgjasë ndërprerja e rregullt e mësimdhënies në shkollat tetvjeçare dhe ato të mesme në Republikën e Malit të Zi, të ndërpriten të gjitha aktivitetet e natyrës baritore dhe kateketike në nivel dioqezan dhe në nivel famullishë.

2. Kremtimi i Meshës së shenjtë:
Besimtarët mos të marrin pjesë në Meshët, qoftë në Kisha, qoftë në Kapela, në varreza dhe në të gjitha vendet publike. Si ipeshkëv dioqezan, i lirojmë besimtarët prej detyrës së pjesëmarrjes në meshën e së dielës dhe i nxisim që meshën e shenjtë ta përcjellin në radio, televizor ose në internet. I inkurajojmë të gjithë sidomos në kungimin shpirtëror që të vetëdijsohemi për praninë e vërtetë të Jezusit në dukjet eukaristike dhe të zgjojnë dëshirën për tu bashkuar me Të.

3. Salikimet – varrimet:
Varrimet të bëhen vetëm brenda gjirit familjar.
Të interesuarit të përmbahen në mosdhënien e dorës, nëse dikush vjen për t’i shprehur ngushëllimet.
Gjatë kryerjes së varrimit mos të marrin pjesë, as në varreza, as në shtëpinë familjare as në vendet e parapara pritje të ngushëllimeve.
Megjithatë meshtari, për dashuri të të ndjerit dhe për familjarët të kryejë ritin e varrimit tek varri.

4. Fëmijët janë të liruar prej katekizmit, për sa kohë që zgjatë pezullimi i mësimit në shkollat shtetërore.

5. Të gjitha aktivitetet e tjera famullitare pezullohen deri në një lajmërim tjetër.

6. Lus dhe ju bëj thirrje të gjithë meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve dhe popullit të Zotit, të luten papushim, të bëjnë bamirësi dhe të kujdesen për krejt krijimin, ashtu siç kemi bërë deri tani.

Lusim Hyjin Atë dhe kërkojmë ndërmjetësimin e Nënës së Zotit, që të na përcjellë, ruaj dhe mbrojë në këtë periudhë të tundimeve dhe rreziqeve të mëdha, që të gjithëve të na bekojë!

Imzot +Rrok Gjonlleshaj, Argjipeshkëv i Tivarit dhe Administrator i Kotorrit

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!