Hoyt Yee: Zgjedhjet dhe vettingu, legjitime edhe pa PD – Bashës, afat 24 orë (Video)

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se po bëjnë gjithçka që opozita në Shqipëri ta ketë të pamundur vendimin e bojkotit të zgjedhjeve.

Zv/Ndihmës Sekretari i  SHBA-ve Brian Hoyt Yee ka deklaruar se, vetëpërjashtimi i PD nga zgjedhjet do të jetë e dëmshme për vendin.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin paketën “McAllister” dhe do të ishte në pëlqimin e saj sikur palët të gjenin një marrëveshje mbi këtë paketë”, ka thënë Yee.

Për herë të parë, Yee ka thënë se SHBA japin siguri se kryeministri Rama nuk ka një synim për të kapur zgjedhjet dhe se ata besojnë tek standardet zgjedhore.

“SHBA janë gati të mbështesin palët për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe pa opozitën ato do të konsiderohen legjitime e po ashtu edhe reforma në drejtësi, pa votat e opozitës”, ka thënë Yee, raporton Tch.

Yee u shpreh optimist për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë, pasi siç tha zyrtari i lartë amerikan, koha nuk pret.

“Kemi shpresë se do të ketë një zgjidhje dhe palët duhet të dialogojnë pasi nuk ka shumë kohë në dispozicion”, deklaroi ai.

Ashtu siç raportoi edhe Top Channel, pasi doli nga takimi me kryeministrin Edi Rama, u mor vesh se nuk kishte një paketë amerikane. Sepse në fokusin e Hoyt Yee ishte paketa “McAllister”.

Burime të Top Channel konfirmojnë se në vend të presidentit, tashmë të zgjedhur, paketa ofron postin e zëvendëskryeministrit, një gjë që vetë Rama e kishte ofruar gjatë negociatave tek Nishani.

Pavarësisht moskoherencës në qëndrime, qoftë maxhoranca përpara, qoftë opozita disa ditë me vonesë, kanë vlerësuar atë si një mundësi e mirë takimesh të përbashkëta mes palëve.

Mesa duket, pas takimit me Ilir Metën, i cili ka qenë gjithmonë pro kësaj pakete, Yee është takuar fillimisht me Bashën vetëm në prani të ambasadorit Lu dhe më pas atyre u janë bashkuar edhe aleatët opozitarë.

Takimi, i cili ka zgjatur më shumë se një orë nuk ka prodhuar rezultat, por ka prodhuar së paku 24 orë kohë për PD për t’iu rikthyer kësaj pakete me disa korrigjime për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur që nga ikja e McAllister.

Dhe këtu nuk është fjala thjesht për presidentin tashmë të zgjedhur, por edhe për faktin se tashmë maxhoranca, ose më saktë, kryeministri dhe Partia Socialiste, duken të bindur tek mbajtja e zgjedhjeve në 18 qershor dhe asnjë ditë më vonë.

Edhe Ilir Meta, pak ditë më parë në emisionin “Top Story” tha se shtyrja e zgjedhjeve përtej datës 16 korrik nuk ishte më e mundur.

Shperndaje