Në plazhin e Strugës dje është vrarë me armë zjarri Dilaver Bojku që njihej me nofkën Leku. Sulmi ndodhi në rreth orës 16:45 në plazin “Aqua Bluesky” që ishte pronë e Bojkut.
Bojku njihej me epitetin “Bosi ballkanik i prostitucionit” që më pas rezultoi me burgosjen e tij, me dënime minimale që i mundësuan edhe ikjen nga Maqedonia. Më pas ishte arrestuar në Ulqin, duke u ekstraduar përsëri në Maqedoni.
Dilaver Bojku, i njohur me nofkën Leku, bëhet i njohur, në radhë të parë për policinë e Maqedonisë, e më vonë edhe për Interpolin dhe FBI-në amerikane, për aktivitet e tij të shumta kriminale, në radhë të parë për tregtinë me femra, shkruajnë mediat në Maqedoni.
Si i ri, pas një qëndrimi në Zvicër, ku punon në ndërtimtari, në vitet e 80-ta kthehet në Maqedoni dhe hapë klube nate, ku janë ofruar edhe shërbime joligjore pothuajse në të gjitha qytetet më të mëdha, si në Shkup, Ohër, Strugë, Gostivar, Manastir.
Sipas medias ballkanike, por edhe atyre botërore, ka qenë një nga personazhet më të njohura ballkanikë në fushën e krimit të organizuar, ka operuar në linjën Ballkan-Evropë, duke sjellë prostituta nga shtetet e ish-Jugosllavisë, Ukraina, Molldavia…
Në shkurt të vitit 2003 arrestohet nga policia e Maqedonisë, me ç’rast në klubet e tij zbulohen dhjetra vajza që kanë qëndruar ilegalisht në vend. Gjykata e Strugës e dënon me 6 muaj burg për mbajtje të një femre pa dëshirën e saj, gjë që në opinion pritet me habi të madhe, për shkak të dënimit të butë që i është shqiptuar. Pas ankesës së prokurorisë dënimi i rritet në 3 vjet.
Më 20 qershor 2003, derisa transportohej nga burgu me siguri të ulët, i ik policisë. Marshallët amerikanë madje shpallin shpërblim prej 10.000 dollarë për atë që do të ndihmojë në zënien e Bojkut.
Bojku pas arratisjes, hynë në Mal të Zi përmes vendkalimit kufitar në Bozhaj me dokumente të falsifkuara dhe pas dy javëve arrestohet në Ulqin, prej nga kishte planifikuar të braktiset për Brazil.
Sidoqoftë, Bojku kthehet në Maqedoni ku e vuan dënimin, ndërsa pas daljes nga burgu fillon biznesin me hotelieri dhe turizëm