BE: Marrëveshja e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi duhet të ratifikohet

BE-ja i rikujton qeverisë së Kosovës se nuk ka ndryshuar qëndrim rreth shënimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi si dhe reformat dhe punët që duhen kryer. Bashkimi Evropian nuk ka ndryshuar qëndrim rreth shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, shkruan DW.

Këtë qëndrim të BE-së, zëvendësdrejtoresha menaxhuese për Evropën dhe Azinë Qendrore dhe drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian, Angelina Eichhorst, ua tha udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, gjatë një vizite në Kosovë, para se të niset për në Beograd.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar dhe ne konsiderojmë si shumë të rëndësishme që marrëveshja për demarkimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi duhet të ratifikohet. Dhe këtë shumë qartë ia kam bërë me dije kryeministrit, e kam diskutuar me të dhe këto janë pritjet tona”, tha Angelina Eichhorst në një konferencë për medie me Ramush Haradinaj.

Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në ditën e parë të punës së tij si kryeministër, shkarkoi nga detyra komisionin shtetërorë që ka bërë demarkacionin me Malin e Zi, por që versioni i tyre nuk mundi të ratifikohet në parlamentin e kaluar të Kosovës. Ishte vet Ramush Haradinaj, më i zëshmi kundër versionit të qeverisë së kaluar të demarkacionit me Malin e Zi dhe i cili vazhdon të besojë se ai shënim i vijës kufitare është gabim dhe ajo duhet korrigjuar.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!