Gruaja shqiptare dhe procesi i integrimit të Malit të Zi në BE

Në organizim të Rrjetit Global të Gruas Shqiptare, në Ulqin u mbajt sot Konferenca me temë “Pozita e shqiptarëve në prag të integrimit të Malit të Zi në BE”.

Organizuar në formën e tre paneleve, ai politik, i arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe informimit, si dhe paneli i OJQ-ve, në konferencë u trajtuan dhe debatuan çështje që kanë të bëjnë me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, përfaqësimin politik, decentralizimin e pushtetit, pozitën e gruas në jetën publike, arsimin dhe mjetet e informimit në gjuhën shqipe, sistemin shëndetësor, kontributin e shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian, problematika të pushtetit vendor në Ulqin, etj.

Veç përfaqësuesve të Rrjetit Global të Gruas Shqiptare, në konferencë morën pjesë Kryetari i Komunës së Ulqinit, Kryetari i Kuvendit Komunal, nënkryetarë të Komunës, deputetë, punonjës të arsimit e shëndetësisë, përfaqësues të OJQ-vë, përfaqësues të subjekteve politike, përfaqësues të mediave, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë e Kosovës në Mal të Zi.

Përveç një trajtimi të problematikës së përgjithshme me të cilën përballen shqiptarët në Mal të Zi, në kontekstin e proceseve të integrimit të vendit në BE, u theksua rëndësia e shfrytëzimit të këtij procesi për përmirësim, realizim dhe avancim të të drejtave të popullatës shqiptare.

Burimi: Ambasada Shqiptare në Mal të Zi Facebook

Gruaja shqiptare dhe procesi i integrimit të Malit të Zi në BE-Ulqin-1

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!