Mbledhja e përbashkët qeveritare Shqipëri-Maqedoni

Në qytetin e Pogradecit në Shqipëri, sot u zhvillua mbledhja e parë e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase, në qendër të së cilës ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në sektorë të ndryshëm. Të dy kryeministrat, ai shqiptar Edi Rama dhe ai maqedonas Zoran Zaev, e konsideruan takimin e sotëm si “një moment kyç dhe historik që hap një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, u pasua me një konferencë shtypi nga dy kryeministrat. Çështjet infrastrukturore ishin tema kryesore e kreut të qeverisë shqiptare, duke përmendur linjën hekurudhore Ohër-Lin. Rama theksoi se deri në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive do të punohet për një doganë të përbashkët në Qafë Thanë.

Një çështje tjetër ishte marrëveshja e Ohrit, për të cilën Rama tha se kishte marrë garanci nga homologu Zaev për zbatimin përfundimtar të saj, përcjell Oranews.

“Rruga e Arbrit për të cilën nga ana jonë kemi bërë progres së konsiderueshëm është një segment ku ndajmë të njëjtin mendim me kryeministrin Zaev vjen si domosdoshmëri zgjatimi nga ana tjetër e kufirit. Jam shumë i kënaqur që mora nga kryeministri Zaev garancinë se do të punojë për studimin e fizibilitetin duke studiuar edhe impaktin mjedisor. Njësoj e sheh edhe ai rëndësinë e madhe të këtij segmenti për të ardhmen si një urë e dobishme lidhëse jo vetëm në sensin fizik por edhe shpirtëror”, tha Rama.

Po ashtu është folur për hekurudhën dhe shtrirjen e saj mes Ohrit dhe Linit si dhe për ambicien që porti i Durrësit të jetë gjithnjë e më shumë me akses për palën maqedonase në funksion të intensifikimit të tregtisë edhe nga ky port. Ndërtimi i linjës të interkonjeksionit 400KV përbën një arsye të fortë për të qenë optimist për sa i përket integrimit të tregut energjetik mes dy vendeve.

Duke parë trendin rritës të vëllimit tregtar dhe shtimit të turistëve nga Maqedonia do të punojmë që deri në mbledhjen e dytë të qeverive të kemi pikën e përbashkët doganore në Qafë Thanë.

U fol edhe për marrëveshjen e Ohrit dhe jemi shumë të inkurajuar nga vizioni, kurajoja dhe vullneti i kryeministrit Zaev për ta çuar përpara dhe më në fund për ta mbyllur këtë kapitull me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit që është me interes të madh reciprok dhe një gurë themeli për demokracinë dhe rritjen e mirëqenies kudo ku jetojnë shqiptarët pasi i jep përfundimisht fund një historie ku kufijtë e së shkuarës si pengesa për të ardhmen.

Shperndaje