Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit

Lëvizja Qytetare URA, Partia Socialiste Popullore (SNP), Aleanca e Qytetarëve CIVIS, Partia Boshnjake, Alternativa Shqiptare, Forca, Partia Demokratike, nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi.

Memorandumin e kanë nënshkruar liderët e këtyre subjekteve politike – Dritan Abazoviq, Vladimir Jokoviq, Ervin Ibrahimoviq, Nik Gjeloshaj, Genci Nimanbegu, Fatmir Gjeka dhe Srdjan Paviqeviq.

Malësia.ME ju sjell memorandumin në gjuhën shqipe:

  1. Pajtimi në Mal të Zi, sepse me dekada kemi qenë një vend i rënduar nga ndarje të ndryshme nacionale, fetare, politike, etnike e shumë ndarje të tjera. Mali i Zi duhet të jetë një shtet ku të gjithë qytetarët të kenë të drejta të barabarta, një shtet solidariteti dhe barazie, një shtet në të cilin do të trashëgohet harmonia ndërfetare dhe ndëretnike, një shtet në të cilin të gjitha bashkësitë fetare do të respektohen në mënyrë të barabartë, por edhe një shtet në të cilin nuk do të ndërmerret asnjë lloj revanshizmi.

2. Ndërtimi i Malit të Zi si shtet qytetarë, sepse një koncept i tillë i shtetit është një nga themelet mbi të cilat ai ndërtohet. Mali i Zi duhet të jetë një shtet i mundësive të barabarta për të gjithë, pa diskriminim mbi asnjë bazë.

3. Respektimi i Kushtetutës së Malit të Zi si shtet demokratik, i pavarur dhe sovran, sepse jemi të përkushtuar që Mali i Zi të jetë shtet i drejtë dhe ligjor, me institucione të pavarura dhe të forta.

4. E ardhmja evropiane e Malit të Zi, sepse ne duhet të jemi një vend me ekonomi të zhvilluar dhe standard të jetesës evropiane. Një sistem arsimor i pavarur, i depolitizuar dhe cilësor, si dhe një sistem i qëndrueshëm dhe i zhvilluar i kujdesit shëndetësor janë shtyllat kryesore të çdo vendi të zhvilluar evropian. Prioriteti më i rëndësishëm social dhe politik i Malit të Zi është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, kështu që politika e jashtme e Malit të Zi duhet të harmonizohet plotësisht me politikën e jashtme të BE-së dhe e drejtuar në ruajtjen e kursit të politikës së jashtme.

5. Zhvillim i fuqishëm ekonomik, sepse Mali i Zi duhet të jetë një vend me ekonomi të zhvilluar dhe standard evropian të jetesës. Duke shfrytëzuar plotësisht burimet, duke gjeneruar investime të reja dhe projekte zhvillimore, duhet të mundësojmë të ardhura më të larta për qytetarët tanë dhe një standard më të mirë jetese.

6. Ndërtimi i Malit të Zi si shtet të përgjegjshëm shoqëror, të drejtë dhe ligjor, sepse jemi të përkushtuar të ndërtojmë institucione të forta dhe të pavarura me qëllim të vendosjes së shtetit të së drejtës. Lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë fokusi i veprimit për të arritur përparim të qartë në kapitujt e negociatave me BE-në.

7. Mbrojtja, promovimi i të drejtave dhe integrimi i popujve pakicë në institucione, për të ndikuar efektivisht në proceset vendimmarrëse në Mal të Zi, si garantues i mbijetesës së popujve pakicë. Respektimi dhe kultivimi i diversitetit përmes politikave të përgjegjshme zhvillimore që nuk do të çojnë në asimilimin e pakicave, me përkushtim të plotë për zhvillimin ekonomik dhe social që do të respektohet dhe do të ndikojë në rritjen e decentralizimit dhe përfshirjen e komuniteteve pakicë përmes përfaqësuesve të tyre autentikëdhe dhe zbatimin e plotë të normave kushtetuese të përfaqësimit proporcional. Ne do të angazhohemi për zhvillim që nuk do të ndikojë në proceset demografike në Mal të Zi.

8. Krijimi i një Mali të Zi ekologjik, sepse ne jemi të definuar me Kushtetutë si shtet ekologjik dhe mbi këtë jemi unik në botë. Jemi të përkushtuar për zhvillimin e shoqërisë sonë në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ekonomisë së gjelbër në mënyrë që në praktikë të jemi shembull i suksesshëm i një shteti vërtet të përgjegjshëm ndaj mjedisit.

/Malësia.ME/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!