Kanë dështuar bisedimet ndërmjet partive politike në Maqedoni për datën e zgjedhjeve, duke e thelluar edhe më shumë krizën politike në vend.
Pas 8 orë bisedimesh, drejtuesit e katër partive më të mëdha nuk arritën marrëveshje lidhur me datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Takimi i ndërmjetësuar nga komisioneri evropian për zgjerim dhe politika fqinjësore Johannes Hahn rezultoi në dështim. Shkak për këtë është opozita maqedonase, e cila thotë se mungon realizimi i reformave të parashikuara që paraqesin kusht për mbajtjen e zgjedhjeve.
Pas dështimit të bisedimeve Hahn ka theksuar se tashmë, ka lënë ndërmjetësuesin belg, Piter Vanhaute, që t’i ndihmojë palët përkatësisht partitë politike, që të gjejnë zgjidhje për kapërcimin e dallimeve rreth marrëveshjes politike, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me rregullimin e punës së medieve.
Ndërkohë, lideri i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, të shtunën ishte shumë i prerë se pa u pastruar lista zgjedhore, opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 24 prillit.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, fajin për dështimin e bisedimeve ia hodhi opozitës, pasi, sipas tij, komisionari Johannes Hahn, që ndërmjetësoi negociatat, pas takimeve që kishte me drejtuesit e KSHZ-së, kishte dhënë garanci se nuk ka pengesa për mbajtjen e zgjedhjeve.
Edhe partitë shqiptare janë shprehur për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill. Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka theksuar se partia e tij gjatë bisedimeve, ka kërkuar respektimin e marrëveshjes së qershor/korrikut.
Përderisa lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, nuk ka pranuar të prononcohet për mediat, pas takimit të liderëve, por paraprakisht ai ka theksuar se është për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill.