Vritet Oliver Ivanoviq, lideri i serbëve të Kosovës (Video)

Udhëheqësi i Nismës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq ndërroi jetë pas një atentati me armë zjarri orët e para të mëngjesit.
 Autorët e sulmit nuk i lanë rrugë shpëtimi: kreu i serbëve të Kosovës u qëllua me 4 plumba në gjoks, ndërsa hynte në zyrën e partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Mediet kosovare thonë se, 64-vjeçari vdiq në spital ku ishte dërguar me urgjencë, ndërsa sipas atyre serbe, ai ka dhënë shpirt në vend e mjekët në spital kanë bërë ç’është e mundur për ta rikthyer në jetë, por pa sukses.

Ka raporte që tregojnë se makina e personave që shtinë mbi të është gjetur më vonë e djegur në Zveçan. Informacionet mbi sulmin nuk janë ende të plota, megjithatë, nga sa pohoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun, Besim Hoti, forcat policore janë angazhuar maksimalisht për gjetjen e agresorëve.

BE dënon vrasjen e Ivanoviqit, Thaçi kërkon zbardhjen

Pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, Serbia ndërpreu menjëherë bisedimet që nisën sot në Bruksel dhe u vendos kthimi urgjent i delegacionit në Beograd.

Bashkimi Europian reagoi ndaj lajmit përmes Maja Koçijançiç, zëdhënëses së shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini, që tha se blloku e dënon me forcë këtë vrasje. Koçijançiç bëri thirrje që të gjitha palët në Kosovë të tregojnë qetësi e të përmbahen, dhe që autoritetet përgjegjëse për sundimin e ligjit të kryejnë punën e tyre.

Pasi kishte nxjerrë më parë me një deklaratë të shkurtër zëdhënësen e saj, Maja Koçijançin, shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini i telefonoi Presidentit serb Aleksander Vuçiç dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi, duke ua bërë të qartë se shpreson se autoritetet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë nuk do të kursejnë përpjekjet për të gjetur autorët dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë.

Qeveria e Kosovës dënon vrasjen e Ivanoviqit

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës. 

“Dhuna është e papranueshme, pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet. Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Serbia kërkon pjesëmarrjen në hetimet për Ivanoviq, Vuçiq: S’ka kuptim të dialogojmë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq doli para mediave vendase në përfundim të mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, që ai e thërriti pas vrasjes së Oliver Ivanoviq në Mitrovicë.

“Autorët e këtij akti do të vihen para drejtësisë. Nëse ata që e kanë për detyrë nuk e bëjnë këtë, ne do ta bëjmë”, tha ai.

Presidenti serb shtoi se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë është rënë dakord nisja e një letre për EULEX-in dhe UNMIK-un, me kërkesën që Serbia të marrë pjesë në hetimin e ngjarjes brenda territorit të Kosovës.

“Nuk dua të spekuloj, por ka detaje interesante që na adresojnë tek autorët dhe kushdo që e ka kryer këtë akt, qoftë serb, shqiptar apo i huaj, do të përballet me drejtësinë”, u shpreh Vuçiç.

Vuçiç komentoi edhe tërheqjen e delegacionit serb nga negociatat dypalëshe me Kosovën në Bruksel.

“Kur kemi kërcënime të përditshme, është e pakuptimtë dhe e vështirë që të dialogojmë”, vijoi ai.

Reagojne edhe Kryeministri i Shqiperis Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes rrjeteve sociale në lidhje me vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç.

“Keqardhje e thellë për tragjedinë e Oliver Ivanovic; akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension.Përpjekjet për dialogun e paqen s’duhen ndalur! Duhen thelluar!”, shkruan Rama.

Presidenti Meta shpreh keqardhjen e thellë dhe dënon ashpër vrasjen e politikanit serb dhe gjithashtu besimin se autoritetet përkatëse do ta zbardhin ngjarjen dhe do të venë vënë përpara drejtësisë autorët.

“Ky akt kriminal të mos ndikojë në procesin e rëndësishëm të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, proces i cili është shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të dy vendeve dhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë e rajonit tonë”, shkruan Meta.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!