Në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekoruar me medalje presidenciale kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, me motivacionin për kontributin e dhënë për pavarësinë e Kosovës dhe ndërtimin e saj.
Në takimin e tyre, Thaçi ka falënderuar Ramën dhe Qeverinë e tij për kontributin e pa ndalur që kanë dhënë për Kosovën.
“Zëri juaj ka qenë i fuqishëm për mbështetje të lirisë së Kosovës, në mbështetje të procesit të shtetndërtimit, të konsolidimit dhe të integrimit të Kosovës sa më të shpejt edhe në NATO edhe në BE”, tha Thaçi.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se ndihet i lumtur dhe ndjehet me emocione të veçanta për këtë dekorim. Rama shtoi se e ardhmja e dy vendeve është e përbashkët.
“Është një nder i jashtëzakonshëm. Dua t’iu shpreh mirënjohjen time për këtë nder. Më vjen mirë që ndodhem këtu me miqtë e kolegët e mi”, u shpreh Rama.
Më pas Rama ka përgëzuar presidentin për marrëveshjen me presidentin malazez rreth demarkacionit për t’i hapur rrugë qytetarëve të Kosovës që të lëvizin lirshëm si gjithë qytetarët e botës
“Ju përgëzoj për atë që vendosët bashkë me Presidentin e Malit të Zi. Si një hap i vendosur për një proces për t’i hapur rrugën qytetarëve të Kosovës, për të lëvizur lirisht”, tha Rama.