Mustafa: Së shpejti takimi i tretë i dy qeverive, Shqipëri – Kosovë

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se në takimin e fundit që ka pasur me homologun e tij, Edi Rama, kanë përcaktuar që të organizohet takimi i radhës i përbashkët i dy qeverive.

Mediat në Kosovë shkruajnë se do të vlerësohen arritjet e deritanishme në dy takimet e mëparshme në Prizren dhe në Tiranë dhe të shihen marrëveshjet të cilat mund të lidhen për bashkëpunim edhe në fushat tjera, të cilat kanë mbetur nga viti i kaluar.

“Do t’i propozoja Qeverisë që t’i caktojmë disa nga anëtarët e saj që për mbledhjen e ardhshme të Qeverisë të na ofrojnë një propozim lidhur me kohën e mbajtës së takimit, lidhur me vendin e mbajtjes së takimit dhe po ashtu që ministrat të mendojnë nëpër ministritë përkatëse se cilat marrëveshje tani i kemi gati, në mënyrë që t’i përgatisim për t’i lidhur në takimin e përbashkët që do ta kemi dhe se cilat çështje mendoni se do t’i diskutonim si çështje me prioritet”, ka thënë Mustafa para Kabinetit të tij qeveritar, shkruan sot Koha Ditore.

Ai ka kërkuar angazhim në përgatitjet e këtij takimi, në mënyrë që të jetë përmbajtjesor dhe t’i kontribuojë thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve

Shperndaje