Thaçi takon Papën e fton në Kosovë dhe i kërkon njohjen

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një audiencë private është pritur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Në takimin me Atin e Shenjtë, i cili ka zgjatur më shumë se gjysmë ore, presidenti Thaçi ka thënë se vlerat që përfaqëson Selia e Shenjtë, si pajtimi, paqja, bashkëpunimi dhe toleranca janë vlera për të cilat është duke u angazhuar edhe Kosova, bën të ditur Presidenca, nëpërmjet një komunikate.

Në takim me Papa Françeskun, Thaçi ka thënë se Kosova është shembull në rajon dhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën mes popujve të përkatësive të ndryshme fetare dhe etnike.

Gjithashtu, ai është shprehur i gëzuar që po bëhet shenjtërimi i Nënës Terezë, e cila është mishërim i vlerave universale.Në fund të takimit, presidenti Thaçi e ka falënderuar Atin e Shenjtë edhe për përkrahjen që Vatikani i ka dhënë gjithnjë popullit të Kosovës.

Presidenti i ka dorëzuar Atit të Shenjtë edhe ftesën që të vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt si dhe i shprehu dëshirën që Selia e Shenjtë të njohë shtetin e Kosovës sa më parë.

Pas takimit Thaçi tha se në një të ardhme jo të largët, beson se Kosova do të njihet si shtet nga selia e shenjtë.

“Vatikani sot na ka pritur si President i Republikës së Kosovës dhe kjo ndodh vetëm në nivel bilateral, në nivelin më të lartë. Ky nuk është takimi i parë i niveleve të tilla. Unë besoj se në momentin e duhur në të ardhmen jo të largët Vatikani do ta merr vendimin edhe zyrtarisht për njohjen e Kosovës. Prandaj dua të besoj se edhe takimi me Kardinalin i ka shërby një perspektive më të shpejtë që do të çon drejt njohjes së Kosovës nga ana e Vatikanit”, tha Thaçi për RTK.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!