Lista Shqiptare publikon kërkesat për hyrjen në Qeveri

0

Disa nga kërkesat kryesore që janë të përfshira në platformën politike të Listës Shqiptare. Këto kërkesa bashkë me Platformën ia kemi dorëzuar dje mandatarit për formimin e Qeverisë, z. Krikokapiq:

Me këtë dokument të „Listës Shqiptare“, konstituentë të të cilës janë: Alternativa Shqiptare, Forca e Re Demokratike, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit dhe Lëvizja Qytetare Perspektiva përfshihen kërkesat që paraqesin kushtet për përfshirjen potenciale të „Listës Shqiptare“ për të qenë pjesë e Qeverisë së ardhshme të Malit të Zi.

Shqiptarët si pakicë e veçantë nacionale përherë kanë dëshmuar pjekuri politike në veprimtarinë e vet politike duke luajtur rolin vendimtar në proceset thelbësore të Malit të Zi, siç janë pavarësimi në vitin 2006 dhe anëtarësimi në NATO.

Përkundër këtij kontributi të popullit shqiptar në Mal të Zi, gjendja e popullit shqiptar si pakicë autoktone në Mal të Zi, nuk është përmirësuar në proporcion me kontributin dhe besimin e treguar.
Problemet më të mëdha me të cilat ne si popull në Mal të Zi ballafaqohemi janë:

  1. Diskriminimi institucional në çdo nivel të administratës;
  2. Ligji zgjedhor;
  3. Mungesa e përfaqësimit proporcional në institucione;
  4. Kufiri i shtrirjes së të mirave detare jashtë ligjit vetëm në Komunën e Ulqinit;
  5. Kufiri dhe administrimi i Parqeve Nacionale të Malit të Zi
  6. Pushteti i centralizuar;
  7. Zvarritja aktive e proceseve për kthimin e pronave, në veçanti të proceseve që kanë të bëjne me Valdanosin dhe pronat fisnore në Malësi;
  8. Mungesa e investimeve në zonat me popullsi autoktone shqiptare. Infrastruktura e dobët në trevat e banuara me shqiptarë, e që si pasojë sjell edhe mungesën e investimeve në këto treva.
    Për „Listën Shqiptare”, anëtarësia e Malit të Zi në NATO, integrimi në Bashkimin Evropian dhe njohja e Kosovës nga ana e Malit të Zi janë çështje të panegocueshme.
    Për të adresuar çështjet e lartpërmendura në pajtueshmëri me Platformën Politike të „Listës Shqiptare”, Kushtetutës së Malit të Zi dhe standardeve ndërkombëtare; duke u mbështetur mbi nevojën e zhvillimit të trevave me popullsi shqiptare në Mal të Zi, nevojës së afirmimit të tolerancës dhe mirëkuptimit dhe nevojës së formimit të një shoqërie inkluzive dhe të mundësive të barabarta, si dhe nevojës së afirmimit të konsensusit dhe proporcionalitetit, „Lista Shqiptare” parashtron këto
    KËRKESA PROGRAMORE PËR QEVERINË E MALIT TË ZI
    KËRKESAT PRIMARE
  9. Investime në trevat ku banojnë shqiptarët në masë prej 5% të buxhetit kapital vjetor si dhe menaxhimi i buxhetit në fjalë, nga përfaqësuesi i „Listës Shqiptare”.
  10. Decentralizimin i pushtetit qendror në sferën e planifikimit hapësinor, zhvillimit, shkollimit, shëndetësisë, policisë duke rritur kompetencat e komunave brenda afatit prej 24 muajsh.
  11. Kthimi i pronave. Afati për përmbushjen e kësaj kërkese: 18 muaj.
  12. Zbatimi i dispozitave ligjore për kthimin e Ullishtës së Valdanosit dhe aprovimi i ligjit të veçante për Valdanosin brenda afatit prej 12 muajsh.
  13. Të Mirat Detare- të miratohet ligji i ri mbi të mirat detare që ia rikthen kompetencat komunave në administrimin e të mirave detare brenda afatit prej 12 muajsh.
  14. Plantacionet „13 Korriku”, si resurs lokal, të japë kontribut për zhvillimin e Komunës së Tuzit, me pagesë të rregullt të tatimeve dhe duke ia lënë Komunës së Tuzit në administrim pronat e pashfrytëzuara. Afati për : gjatë vitit 2021.
  15. Parqet nacionale: Ridefinimi i kufijve dhe ndryshimi i planeve hapësinore për parqet nacionale brenda vitit 2021.
  16. Pjesëmarrja proporcionale e pakicës shqiptare në të gjitha organet dhe institucionet publike, përfshi këtu edhe në sistemin gjyqësor dhe prokurori. (Afati, gjatë vitit 2021).
  17. Përfundimi i procesit të ndarjes së pasurisë të Kryeqytetit Podgorica me Komunën e e Tuzit brenda afatit 3 mujor.
  18. Funksionalizimi i Maternitetit të Ulqinit;
  19. Ndërtimi i portit të Ulqinit;
  20. Lundrueshmëria e Bunës;
  21. Mbrojtja e kripores së Ulqinit dhe sigurimi i mjeteve financiare për funksionim të rregullt.
  22. Të anulohen vendimet e privatizimeve ku nuk janë respektuar kontratat bazë (ish Galebi, ish Lido dhe kepi Suka – lokacioni Jadran) brenda afatit 12 mujor.
  23. Ndryshimi i ligjit zgjedhor me theks të veçantë në sigurimin e mandateve të garantuara për shqiptarët.
  24. Autostrada Adriatiko-Joniane të kalojë në territorin e Ulqinit.
  25. Hapja e një kanali të RTMZ në gjuhën shqipe.
  26. Ndryshimi i Rregullores së Punës të Kuvendit të Malit të Zi, ashtu që të lejohet formimi i klubi të deputetëve të popujve pakicë me vetëm një deputet brenda afatit. Ky ndryshim të bëhet brenda afatit 3 mujor.
  27. Themelimi i zyrës së veçantë për përkthim në gjuhën shqipe;
  28. Trajtesa objektive e rasteve të shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi në periudhën e kaluar me theks të veçantë në „Fluturimin e Shqiponjës”.

error: Të drejtat e rezervuara !!