Rrezikohet zhdukja e ishullit turistik në Bunë

Erozioni i fuqishëm, ndërtimet pa kriter dhe materialet inerte në grykëderdhjen e lumit Buna po rrezikojnë ishullin më të bukur në bregdetin e Malit të Zi, Adën e Ulqinit.

Njohësit e kësaj çështje thanë se angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë është i domosdoshëm për ruajtjen e këtij ishulli të bukur turistik nga zhdukja.

Erozioni i fuqishëm, ndërtimet pa kriter dhe materialet inerte po rrezikojnë ishullin më të bukur në bregdetin e Malit të Zi, Adën e Bunës në Ulqin.

Ndodhur në kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, Ada e Bunës është gërryer nga dy anët prej Lumit Buna dhe në njërën anë nga valët e furishme të detit.

Përfaqësuesi i Agjencisë për menaxhimin e vijës detar “Të mirat Detare”, Omer Bajraktari tha se situata e krijuar në këtë ishull është shumë alarmante.

“Procesi i erozionit në ishullin Ada po zgjatë disa vite në shumë pjesë të saj, por viteve të fundit ka marrë hov dhe ne si ndërmarrje publike për menaxhimin e bregdetit të Malit të Zi kemi marrë disa masa dhe jemi në mënyrë aktive të kyçur në zgjidhjen e këtij problemi”, tha zoti Bajraktari.

Drejtori i kompleksit turistik “Ada”, Bojan Gjakonoviq vlerëson se ndikimi i valëve të fuqishme të detit, tani që fillon dimri dhe heqja e rërës mund të përshpejtojnë zhdukjen e një prej plazheve më të njohura në Mal të Zi dhe në Adriatik.

“Erozioni do të vazhdojë në ditët e ardhshme kur nisin valët e fuqishme të detit, rrymat detare dhe kjo gjendje do të përshpejtojnë zhdukjen e kësaj bukurie të rradhë natyrore”, tha zoti Gjakonoviq.

Zoti Bajraktari, vuri në dukje, se do të ndërmerren masat afatshkurtra dhe afatgjate për mbrojtjen e këtij ekosistemi të njohur në Adriatik.

“Disa masa afatshkurta do ti marrim shumë shpejtë ashtu siç bëmë edhe para sezonit turistik, ku me ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi, me

ushtrinë malazeze do të bëjmë “ushqimin” e kësaj pjese të ishullit më rërë apo me sendimentin, i cili është nxjerrë më herët. Për një zgjidhje më afatgjate jemi duke punuar, por për këtë na duhen disa analiza dhe studime, të cilat bëhen në një interval kohorë më të gjatë”, tha ai.

Zoti Bajraktari tha se Ndërmarrja Publike për menaxhimin e vijës bregdetare do të vazhdojë me angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë me përkrahjen e projektit IPA, të cilët do të japin zgjidhjen e duhur në mbrojtjen e ishullit turistik.

Shperndaje