Me 62 vota për dhe 46 kundër, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut zgjodhi Qeverinë e re që do të drejtohet nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Votimit i parapriu një debat dyditor që përfundoi të dielën para mesnate.
Qeveria e re numëron 21 anëtarë; 17 ministra dhe katër zëvendëskryeministra. Lidhja Social Demokrate ka 12 anëtarë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa.
Njëmbëdhjetë anëtarë të Qeverisë janë maqedonas, ndërsa dhjetë shqiptarë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka një plan të detajuar që të përballet me sukses me të gjitha sfidat që ndodhet para saj, ka deklaruar kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski. Prioritetet kryesore të ekzekutivit të ri të Maqedonisë së Veriut do të jenë përballja me krizën energjetike, zhvillimi ekonomik dhe investimet e huaja, tha shpreh Kovaçevski, i cili në Qeverinë e deritanishme ishte zëvendësministër i Financave. “Nuk kemi dilema se duhet të jemi më efikas në punën tonë që të kemi rezultate më të mira në punë. Programi jonë i Qeverisë bazohet në disa shtylla, por prioritet mbetet përballja me krizën energjetike, ngritja e standardit jetësor si dhe investimet e huaja. “Negociatat me Bullgarinë do të vazhdojnë me intensitet edhe më të madh, pasi jemi shtete fqinje dhe duhet të bashkëpunojmë në të gjitha sferat, si mundësi e vetme për të mirën e dy popujve dhe shteteve tona”, ka a theksuar Kovaçevski. Në postin e kryeministrit, Kovaçevski zëvendëson Zoran Zaevin, i cili dha dorëheqje për shkak të disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021. Pjesë e Qeverisë së re janë edhe tri parti shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare. Arbër Ademi, deputet nga BDI-ja, tha se Qeveria e re do të zbatojë në tërësi programin e saj, ndërsa u shpreh i bindur se në tre muajt e fundit të mandatit të saj, Qeverinë do ta drejtojë një kuadër shqiptar, pasi për këtë, sipas Ademit, janë pajtuar si LSDM-ja ashtu edhe VMRO-DPMEN-ja.