Kosova sot ka mbushur plot 8 vjet nga pavarësia e saj. Ky përvjetor u shënua me ceremoni zyrtare në sheshin e Prishtinës, në praninë e krerëve më të lartë shtetërorë dhe diplomatëve ndërkombëtarë, por në mungesë të përfaqësuesve të opozitës.
Në orët e paradites Kosova ishte në festë ndërsa në orët e pasdites, në Prishtinë, mijëra qytetarë janë bashkuar në protestën e organizuar nga opozita, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, për të kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Liderët dhe përfaqësuesit e partive opozitare gjatë fjalimeve të tyre para protestuesve, kërkuan dorëheqjen e qeverisë së Kosovës.
Opozita e Bashkuar, VV, AAK dhe Nisma, përmes një njoftimi për media, njoftuan se në protestën e sotme numri i pjesmarrësve ishte 100 mijë.
Visar Ymeri kreu i VV: ”Zajednica ka marrë fund. Demarkacioni ka marrë fund tani duhet të marrë fund dhe qeverisja.Ne nuk jemi kundër serbëve por Serbia është kundër Kosovës do të na bëjë të varur politikisht përmes Zajednicës”
Fatmir Limaj i Nismës: “Sot populli i Kosovës ju ka hequr legjitimitetin. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakoshme. Sot populli i Kosovës po flet. Qeveria e Kosovës është ilegjitime. Do vazhdojmë fuqishëm me kauzën tonë të drejtë ”
Ramush Haradinaj i AAK-së tha: “Populli është kuorumi i mjaftueshëm për ta rrëzuar Qeverinë”